“Një mrekulli të natyrës që po dëmtohet rëndë nga mbeturinat e njerëzve”, kështu e cilësojnë turistët e huaj, liqenin e Komanit, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.
Çdo vit, kjo pikë turistike që lidh edhe pjesën më të madhe të alpeve në veri, vizitohet nga mijëra turistë të huaj që mrekullohen nga natyra, por marrin imazh negative nga mbetjet.
“Shumë shumë vend i bukur. Gjithçka është perfekte, natyra shumë e veçantë po e shijojmë shumë këtë pamje por mbeturinat po e dëmtojnë. Duhet t’i ndaloni sepse janë shumë mbeturina plastike”, thotë një turist.
“Liqeni është fantastik. Është një parajse e vërtetë, një bekim për ju. Mbeturinat janë shumë të shëmtura. Shumë keq që i hidhni këtu sepse plastika nuk shpërbehet dhe qëndron përjetë”, u shpreh një tjetër.
Situata e këtij viti është më e rënda e këtyre viteve, ku përveç plastikës tashmë në liqen kanë përfunduar edhe kafshët e ngordhura. Varkat duhet të kalojnë mes për mes tyre, duke i shkaktuar edhe atyre probleme në sistemin e drejtimit.
Ndotja me mbetjet plastike në liqenin e Komanit, është shtuar në vitet e fundit, paralelisht edhe me rritjen e numrit të turisteve. Kryesisht mbeturinat vijnë nga fshatrat e Tropojës dhe nga Kosova.
Top Channel