Ky episod i podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet i “ Jo vetëm burg”.
Në këtë puntatë u trajtuan çështjet e opsioneve të dënimeve alternative.
Mungesës së një burgu të hapur që do të sillte aplikim për të dënuar që ndjekin shkollën, janë në pune, rrisin fëmijë apo kanë probleme familjare.
Megjithëse është eksperimentuar vitet e fundit, dënimet janë të pakta.
Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysmë liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli.
Por ngelet e paqartë se si do të vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk e kanë në Tiranë.
Pavarësisht ligjit që parashikon gjysmë= lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg .
Në intervistë me Anila Hoxhën ishte gjyqtari i Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Florjan Kalaja.
Ai e deklaroi çështjen e punës me interes publik që po aplikohet ndaj zyrtarëve që për shkak të këtij lloji dënimi ata nuk konsiderohen të dënuar
Anila Hoxha: Çfarë është gjysmë liria, zoti gjyqtar?
Florjan Kalaja: Ju përgëzoj për nismën e marrë dhe ju uroj vazhdim të mbarë. Siç e ka termin “gjysmë liri” mund të përkthehet edhe nga ana tjetër gjysmë burgimi, që dënimi me burgim të mos vuhet i plotë, por të realizohet pjesërisht në institucion penitenciar, ku shteti ka ngritur për të vuajtur dënimin me burgim dhe pjesa tjetër sipas grafikut që ka lënë gjykata në mënyrën si e ka konceptuar dënimin alternativ, në dispozitivin e vendimit, të ekzekutohet në shoqëri.
Individi të jetë në të njëjtën kohë, të vuajë, të përjetojë edhe qëllimet retributive të dënimit penal që dmth qëllim vetë ndëshkuese apo parandaluese, të posaçme dhe të përgjithshme të dënimit penal.Por nga ana tjetër, individi të përjetojë apo të ketë mundësi në mënyrë të përditshme që të rehabilitohet përmes një jetesë në shoqëri, duke mos u shkëputur nga angazhimet e tij familjare dhe duke mos u shkëputur në mënyrë natyrore, po themi nga angazhimet e tij sociale, profesionale, kulturore, por paralelisht duke vuajtur edhe dënimin me burgim.
Anila Hoxha: Pse z. Kalaja aplikohet kaq pak? Ne kur shikonim të dhënat që na u vendosën në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kuptuam që shifrat janë shumë të ulëta. Ka diçka që nuk shkon?
Florjan Kalaja: Unë e ndaj më shumë jo nga statistikat,por duke patur parasysh eksperiencën që kam. Edhe unë kam të njëjtën perceptim që neni 58 i Kodit Penal apo “gjysmë liria” gjen zbatim të kufizuar në raport, po themi me dënimet e tjera simotra alternative. Për të vënë gishtin po themi, për të adresuar shkaqet se pse nuk është kjo frekuencë e njëllojtë në raport me simotrat e saj, konstatoj që edhe raportet që vijnë apo po e marr nga këndvështrimi tjetër kur kam ushtruar funksiononin e gjyqtarit të ekzekutimit konstatoj se është më e ndjeshme apo vijnë më shumë raporte nga ana e Shërbimit të Provës, nga ana e institucioneve penitenciare për të na treguar sesi është ekzekutuar puna në interes publik, sesi është ekzekutuar pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, vënies së të dënuarit me provë apo të dënimit me kusht qoftë edhe revokimet e tyre, sesa na vijnë raporte për të treguar, sesi është ekzekutuar gjysmë liria.
Perceptimi im është që ndoshta infrastruktura penitenciare nuk është e tillë që t’a bëjë frekuente, ta bëj të zakonshme këtë lloj mënyre alternative të vuajtjes së dënimit me burgim. Por nga ana tjetër kjo sjell edhe një lloj stepje apo një lloj vetëpërmbajtje të gjyqtarit për t’iu qasur nenit 58 të Kodit Penal, duke e ditur apo duke e pasur të pasigurtë mënyrën sesi vendimi i tij do të ekzekutohet.
Anila Hoxha: Pse ngurojnë gjyqtarët?Ngurojnë vetëm gjyqtarët dhe mbase qytetarët preferojnë t’i mbyllin ato, të mbyllin dënimin shpejt e shpejt aq sa është dënuar. Jemi duke folur për dënime nën 5 vjet.
Florjan Kalaja: Unë theksoj edhe kjo është përshtypja ime që këto kufizime, këto mekanizmat e vetëpërmbajtjes që i vijnë gjykatës mund t’i vijnë vetëm nga fakti që është e paqartë sesi kjo ekzekutohet,sesa sukses do të ketë kjo lloj mënyre e vuajtjes së dënimit. Sjell në vëmendje për shembull praktikën italiane nga ku ne e kemi marrë normën në Kodin Penal. Atje është frekuente kjo lloj mënyre e ekzekutimit të dënimit dhe këtë e them me një lloj hamendësimi apo një lloj mendimi afërmendsh që sigurisht që ato e kanë të krijuar infrastrukturën, qoftë edhe për ta mbikëqyrur, qoftë edhe për ta ekzekutuar këtë lloj dënimi me të gjithë specifikat që ka në strukturën e tij.
Anila Hoxha: Realisht institucionet shqiptare janë duke u bërë gati që të aplikojnë dhe të hapin një burg gjysmë të hapur dhe që është e vërtetë që mungon infrastruktura. Por nga ana tjetër mos kemi ne, një shoqëri apo sistem gjyqësor, të cilët ngurojnë të japin dënime shumë të lehta apo e ri-integrojnë individin, i japin shance atij të vazhdojë jetën dhe ndërkohë të korrigjohet edhe ndoshta nga ky presioni që shoqëria është mësuar që gjykata duhet të japë vetëm burg , duhet të dënojë vetëm me burg dhe të gjitha dënimet e tjera duket sikur nuk janë dënime.
Florjan Kalaja: Në fakt, unë kam qenë edhe pjesë e një studimi , nga këtu ka dalë edhe lirimi me kusht. Kam shkruar posaçërisht,vetëm për njërin nga alternativat e dënimit duke bërë edhe një monografi timen për këtë. Edhe tek ky studimi që bëmë pamë që në të vërtetë, kjo është e diskutueshme, është relative një konkluzion i tillë që gjyqtarët janë të vetëpërmbajtur , gjyqtarët janë të kufizuar për të konceptuar apo për të dhënë , për ta konceptuar dënimin si ndryshe nga kjo forma klasike, dënimit me burgim dhe për ta ekzekutuar atë qoftë edhe me alternativa dënimi. Pse e them këtë? Sepse është shumë frekuente zbatimi i nenit 59, “pezullimi i ekzekutimit të dënimit” dhe “vënia e të dënuarit në provë”.
Është shumë frekuente sikurse është frekuente shumë zbatimi i nenit 63, “puna në interes publik”, për disa vepra penale të caktuara dhe këtu kam një lloj dileme dhe një lloj paqartësie që nuk e shpjegoj dot deri në fund, pse nuk i qasemi në të njëjtën mënyrë, apo me të njëjtën frekuencë edhe nenin 59/a, “qëndrimit në shtëpi”, si formë e vuajtjes së dënimit me burgim apo edhe gjysmë liri.
Anila Hoxha: Mbase është e vështirë edhe gjithë historiku sepse Shqipëria dështoi me “mbikëqyrjen përmes byzylykëve”, po e quajmë kështu . U aplikua vendosja e byzylykëve që do të monitoronte individët , personin e dyshuar në këtë rast, por ajo nuk ishte një histori e suksesshme, ndoshta sepse do të duhej që policia të kishte kapacitet më të forta. Ne kemi parë raste kur individë me “arrest shtëpie” ka qenë shumë e vështirë që të monitorohen dhe ndoshta kjo mund të jetë një arsye .
Florjan Kalaja: Në fakt është një arsye. Sepse ndërkohë që ju po bënit pyetje, në mendjen time erdhi e njëjta gjë, na ndodh edhe me masat e sigurisë. Për shembull, po të krahasojmë frekuencën e dhënies nga gjykatat të masave të sigurimit “arrest me burg” në raport me “arrestin në shtëpi”sepse ju më sollët në vëmendje çështjen e gjurmueshmërisë elektronike të individit që vihet në një formë të caktuar të kufizimit të lirisë, siç është “arresti në shtëpi” apo qoftë “qëndrimi në shtëpi”,në të njëjtën mënyrë konstatoj që është shumë pak e përdorshme masa e sigurimit “arrest shtëpie”, jo se nuk është, por në raport me “arrestin në burg”.
Anila Hoxha: Zoti Kalaja, në fakt unë do të guxoja dhe do ta quaja ndoshta edhe frikë nga paragjykimi total për të dhënë masa më të lehta apo dënime më të lehta, se ndoshta gjyqtari apo trupa gjyqësore mund të vlerësojë dhe ka frikë se mund të paragjykohet që e dh , pse e dha këtë dënim kaq të butë, çfarë ndodhi me të. Në kontekstin e gjithckaje ka ndodhur në dekada me drejtësinë , ku ka patur vendime të cilat kanë qenë shumë të diskutueshme dhe për këtë arsye ndoshta gjyqtari thotë ”më mirë po e dënoj me burg dhe shpëtoj nga një gjyq tjetër personal”.
Florjan Kalaja: Kjo mund të ndodh, por kjo është e gabuar. Dmth në qoftë se e para, vendimmarrja e një gjyqtari për fajësinë që këtu është me “kapitale” , këtu është më e rëndësishme gjëja. E dyta, në qoftë se vendimmarrja e një gjyqtari për ashpërsimin e një mase sigurimi apo në qoftë se vendimmarrja e një gjyqtari për ashpërsimin apo jo të individualizimit të dënimit ndikohet nga faktorë që nuk kanë lidhje me dosjen që ai ka përpara , këtu dënimi nuk është i drejtë. Masa nuk është e drejtë dhe sigurisht dhe fajësia nuk është e drejtë. Kjo nuk duhet të ndodhë kategorikisht, pasi kjo nuk është drejtësi, kjo mund të jetë çdo gjë tjetër. Mund të jetë populizëm, mund të jetë frikë nga ushtrimi i detyrës , intimidim, por kjo nuk është drejtësi. Kështu që për këtë nuk di se çfarë mund t’ju them vetëm se të konkludoj që kjo është forma më e gabuar e ushtrimit të këtij lloj profesioni duke i shtuar dosjes diçka që aty nuk ekziston,të gjithë këto faktorët ekstra ligjore.
Anila Hoxha: Ju thatë që një nga format me frekuente të dënimit është dënimi me “punë në interes publik”. Ne kemi vërejtur që ndoshta mund të jetë edhe një harresë e ligjvënësit, se ata që dënohen me punë me interes publik , këtu e kam fjalën për dënimet që jepen në gjykatën e posaçme, nuk konsiderohen në kuptim të ligjit, mbasi marrin këtë lloj dënimi, nuk konsiderohen të dënuar. Sipas jush është diçka që është harruar? Ne kemi raste zyrtarësh të pushtetit lokal, të cilët janë dënuar me punë në interes publik, e kanë shlyer dënimin duke punuar në një bibliotekë, duke shërbyer në një muze etj. Dhe ndërkohë ata nuk rezultojnë të dënuar.
Florjan Kalaja: Kur gjykata vendos që për një vepër të caktuar penale do të duhet të zbatohet kjo lloj mënyrë alternative e vuajtjes së dënimit me burgim , puna me interes publik, individi quhet i padënuar. Është një parashikim ligjor ekspelicit ky në Kodin Penal, e para është kjo. E dyta , është në Kodin e Procedurës Penale të ndryshuar në vitin 2017, jemi në situatën e paketës së reformës në drejtësi, kur u prezantua për herë të parë urdhri penal.
Dënimi me urdhër penal të prokurorit edhe kjo mënyrë e dënimit, e zgjidhjes së procedimit penal ka pasjellë këtë lloj zgjedhje ligjvënësi, se individi i dënuar sipas kësaj lloj mënyrë konsiderohet i padënuar. Diskutimet e tjera që ndodhin për efektet të zbatimit të ligjeve të tjera, kufizimeve administrative apo kufizimeve të tjera ligjore të çështjes, je i dënuar apo jo, apo kufizimi i këtij parashikimi ligjor në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, i qenies së padënuar, i prezumimit ligjor të padënuar për efektet penale, këto janë diskutime të tjera.
Anila Hoxha: A nuk bie ndesh kjo me përpjekjet për të luftuar edhe për të nxjerrë nga institucionet ata njerëz, që janë pjesë e institucioneve dhe dënohen me këto formë dënimi dhe ndërkohë kanë kartelën e bardhë në finale? Do të duhet të ndryshohet diçka?
Florjan Kalaja: Kjo është pjesë tjetër e së drejtës. Unë do të fokusohesha më shumë tek kjo pjesa e profilit tim për të mos i dhënë vetes diçka, pavarësisht se unë e kam një mendim timin. Por kjo nuk është…
Anila Hoxha: Cili do të ishte mendimi juaj?
Florjan Kalaja: Unë vij me këtë , me kredencialin e punës time dhe me aktivitetin tim akademik.
Anila Hoxha: Një koncept i ri është edhe marrëveshja e fajësisë. Çfarë është marrëveshja e fajësisë?
Florjan Kalaja: Këtu individi i është njohur aftësia që të kontraktojë, aftësia që ta negociojë ai fajësinë, aftësia që ta negociojë ai individualizimin e dënimit.
Anila Hoxha: Si ndodh kjo?
Florjan Kalaja: Ky është avantazhi më i madh.
Anila Hoxha: Negocimi ndodh me prokurorinë?
Florjan Kalaja: Negocimi ndodh me prokurorinë sepse jemi në fazën paragjyqësore që dmth. që gjykatës do të duhet t’i dërgohet akti i arritur i marrëveshjes ndërmjet prokurorit dhe të pandehurit.
Anila Hoxha: Në botimin më të fundit ku jeni autor i librit “lirimi me kusht”, ju keni hedhur teza dhe këndvështrime shumë interesante, për sa i takon qasjes së drejtësisë me qytetarët dhe dënimet që jep. Një ndër to, dënimi i përjetshëm,një kartë shumë e fortë. Pse keni dalë në rezultatin ku ngrini pikëpyetje, sa i takon qëndrimit ekstrem të Shqipërisë apo drejtësisë shqiptare ndaj qytetarëve që dënohen me burgim të përjetshëm?
Sepse, ideja jonë në publik është kjo, që dikush që dënohet me burgim të përjetshëm nuk duhet të ketë asnjë mundësi dhe asnjë shans dhe ai duhet të dalë pa jetë nga qelia, të paktën kështu ka ndodhur në shumë raste. Përjashtuar raste, për të cilët individë të njohur kanë fituar nga mjekësia ligjore dhe ata kanë shpëtuar me dënime të ulëta apo kanë fituar edhe nga drejtësia vitet e fundit.
Florjan Kalaja: Jam shumë i zhgënjyer nga mënyra sesi Kodi Penal i trajton këto çështje kaq të rëndësishme, kufizimin më maksimal të lirisë pas shfuqizimit të dënimit me vdekje, në vitin 1997, pas ratifikimit të Konventës Europiane, Për të drejtat e njeriut, prej Gjykatës Kushtetuese, që u shfuqizua edhe në Kodin Penal dhe në Kodin Penal Ushtarak. Sot, ne kemi vetëm një dënim që është edhe dënimi më i rëndë që është dënimi me “burgim të përjetshëm”.
Konkluzioni që unë arrij në libër është që, mënyra sesi ne e kemi konceptuar dënimin me burgim të përjetshëm, jo në momentin apo jo në përmasat e tij, si dënim që caktohet rishtazi dhe jo këtu, po mënyra sesi ne kemi konceptuar zbatimin e tij, ekzekutimin e këtij lloj dënimi, e bën vetë dënimin me “burgim të përjetshëm”, të papajtueshëm me Kushtetutën.
Për dy arsye; çështja “Vinter dhe të tjerë” kundra Mbretërisë së Bashkuar, vendimi i 17 gjyqtarëve i Dhomës së Madhe gjer në vitin 2012 , që konkludon që privimi i çdo lloj shprese apo detyrimi me ligj i një individi që të jap frymën e fundit në burg për gjithë jetën dhe ta vuajë në burg gjithë jetën e tij, duke i mohuar dhe duke i nënvlerësuar çdo lloj ndryshim që i ndodh në personalitetin e tij përgjatë vuajtjes së ekzekutimit të dënimit me burgim të përjetshëm përbën trajtim çnjerëzor për individin, e para.
E dyta, edhe në rastet kur ne e parashikojmë në nenin 65 të Kodit Penal që për vepra penale të cilat janë dënuar me burgim të përjetshëm lejohet dënimi me kusht për këto raste. Ne, në vitin 2013 kemi parashikuar që periudha e detyrueshme e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, për efektet të lindjes së të drejtës për të kërkuar lirimin me kusht për të dënuarit është në masën 35 vjet burgim.
Anila Hoxha: Ndoshta kaq konsiderohet ajo fasha kohore që ndihmon lirinë e të dënuarit për t’u rehabilituar?
Florjan Kalaja: Kthejmë vëmendjen tek jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut.Hungaria ka patur shumë çështje në Gjykatën e Strasburgut sepse këtë masën që ne kemi 35 vjet burgim, Hungaria e ka 40 vjet. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka pasjellë një konkluzion pasi bën këtë studimin e të gjithë kodeve penale në Europë, konkludon që ka një konsensus në Europë që kjo periudhë nuk duhet të jetë më shumë se 25 vjet burgim.
Ne nuk mundemi që duke qenë se kemi patur disa vendime të gabuara t’a mohojmë për të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm mundësinë për të kërkuar shqyrtimin apo rishqyrtimin periodik të vendimeve të tyre sepse ne nuk mund të nisemi nga premisa që është gabuar me këtë dhe hajde ta heqim fare si institut.
Sepse kjo është “politika e moratoriumit” nuk shkon me drejtësinë, nuk ka gjëra fare të përbashkëta mesazhi që unë dua të jap.Është që në raste kur konstatohet që ka ndryshime të rëndësishme, ka ndryshime thelbësore në mënyrën sesi zhvillohet personaliteti i të dënuarit gjatë fazës së ekzekutimit të dënimit, ligjvënësi dhe gjyqësori nuk mund të jenë dot të verbër .
Top Channel