Një parcelë e kultivimit të lëndëve narkotike është zbuluar në Lezhë, ku droni i policisë filmoi punëtorët.
Njëri prej tyre fillimisht sheh vërdallë, por më pas ai nis dhe punon teksa tjetri vëzhgon. Në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë kapur asgjësuar me anë të djegies, 2105 fidanë e bimë kanabis.
Njoftimi i policisë:
-Në Lezhë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë u finalizua operacioni Policor i koduar “Verdikti” ku janë evidentuar dhe asgjësuar nëpërmjet djegies 1445 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në fshatin Kashnjet, të Njësisë administrative Ungrej. Gjatë këtij operacioni, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Gj.Ll., 45 vjeç, banues në Lezhë, pasi nga terësia e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të hetimit proaktiv të nisur mbi kultivimin e këtyre bimëve, janë siguruar prova, ndër to edhe filmike se ky shtetas është autori i kultivimit të bimëve të gjetura.
-Në Kurbin, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Giykatës së Shkallësë Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, u finalizua operacioni policor i koduar “No More”. Në kuader të këtij operacioni, në fshatin Fushë Gjormë, u kap brenda një parcele të kultivuar me 360 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi D.L., 57 vjeç. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, si autor i dyshuar i bimëve të gjetura në atë parcelë.
-Në Mirditë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në kuadër të operacionit “Kubikët”, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit M. M., 48 vjec, lindur në Xhuxhë, Fan, Mirditë dhe banues në Durrës, ku vijon puna intensive për kapjen e tij.
Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi në vendin e quajtur “Kroi i Kingjit”, në fshati Xhuxhë, Njësia administrative Fan, Bashkia Mirditë, 300 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuara në kubikë plastikë. Nga veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore, Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, 48-vjeçarin e shpallur në kërkim, ku dhe gjatë kontrolit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën edhe dy automjete me të cilët dyshohej se ky shtetas kishte transportuar kubiket me fidanë për ti kultivuar në tokë, si dhe u gjetën e sekuestruan edhe prova të tjera që kanë lidhje me këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel