Edhe këtë vit, serbët shënuan festën religjioze të “Vidovdanit”.
Pas liturgjisë në Manastirin e Graqanicës, qindra serbë u drejtuan për tek monumenti në Gazimestan të Obiliqit. Kjo festë është shënuar në vazhdimësi me incidente ndër etnike, për çka edhe këtë 28 qershor, Policia e Kosovës ishte vendosur në hapësirat përreth monumentit.
Në hyrje, kontrolloheshin të gjithë pjesëmarrësit për simbole nacionaliste. Ata që mbanin veshur bluza me simbole të tilla u ndalohej hyrja. Po ashtu, policia e Kosovës, nuk lejoi as flamujt që mbanin mbishkrime me thirrje nacionaliste. Thirrjet e tilla e po ashtu edhe politike erdhën edhe nga kleriku fetar që mbajti fjalim para masës.
“Kosova edhe pse e kryqëzuar, mund të ringjallet, është toka jonë e shenjtë, është Jerusalemi ynë. Kur ata thonë se kemi këtë marrëveshje ose atë marrëveshje, sa janë bërë deri tani? Marrëveshja kryesore ishte arritur me 1389”, u shpreh Peshkopi i Malit të Zi.
Manifestimi u përcoll edhe me këngë për Kosovën e Vidovdanin, me thirrjet nacionaliste “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.
Deri në fund, nuk u regjistrua asnjë incident, megjithatë pas përfundimit, policia e Kosovës shoqëroi një serb për në stacionin policor. Serbët festojnë Vidovdanin, si shënim për betejën e Kosovës, mes serbëve dhe turqve në vitin 1389.
Top Channel