“Ç’është kjo ca himarjotë me Tiranën e ca me Athinën?”, Rama tjetër mesazh Greqisë: Himara është Shqipëri, fytyra e Vangjel Dules…

28/06/2024 13:31

Nga Dhërmiu ku ndau 789 tituj të tjerë pronësie në procesin e përmbylljes së hipotekimit të shtëpive të trashëguara, Rama dha edhe një mesazh për Greqinë.

Kreu i qeverisë tha se ndarjet ‘disa me Tiranën, disa me Athinën janë pjesë e lodrave politike dhe se Himara është e himarjotëve, ndërsa nuk kurseu sulmet për Vangjel Dulen.

Unë kurrë nuk e kam imagjinuar se do ta jetoja ditën kur Himarën do ta ndanin disa njerëz në “tanët dhe të atyre”.

Himarjotët kanë qenë historikisht himarjotë në radhë të parë, bile i kanë thënë vetes aq shumë himarjot, saqë donin të bënin edhe republikë më vete, se janë pak republikë më vete nga mendja, kështu që donin të bënin Republikë më vete edhe këtu në territor. Si na qenka nga kjo tani që Himara na qenka, ca qenkan me Tiranën e ca qenkan me Athinën.

Çfarë hyjnë këto këtu? Këto janë pjesë e lodrave politike. Këto janë pjesë e lodrave politike me mendjet dhe me zemrat e njerëzve.

Himara është e himarjotëve dhe himarjotët janë ata që janë. Janë në lirinë dhe në drejtën e tyre ta quajnë veten si duan, por sido që ta quajnë veten për nga origjina, në fund të ditës emrin e kanë himarjotë dhe  Himara, si  Tropoja, si Saranda, si Gjirokastra, si Vlora, si Durrësi është Shqipëri dhe të gjithë, të gjithë ata që jetojnë Himarë janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, janë të gjithë të barabartë dhe nuk ekziston, nuk mund të ekzistojë në imagjinatën time se mund të ndahem në ca të nënës e ca të njerkës, dhe pastaj secili të zgjedhë se kush është nëna e vet e kush është njerka e vet.

Këto janë njësoj siç janë ata që i flasin këto gjëra. Himara ka histori, ka një histori shumë të pasur dhe ka një histori të pandashme. Nuk mund ta ndash historinë e Himarës dhe ta ndash sipas qejfit të një copë e të thuash jo kjo është kështu, jo është një histori, është një histori dhe ajo që e simbolizon këtë që po them unë është fytyra e Vangjel Dules. Ç’punë ka Vangjel Dulja në Himarë, përveçse si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si çdokush tjetër dhe me çfarë të drejte, me cilën të drejtë i jep gojës për të nxitur përçarje dhe për të folur absurditete dhe për të folur marrëzira, të cilat nuk kanë lidhje fare as me jetën e përditshme të himarjotëve, as me jetën e përditshme të shqiptarëve, as me jetën e përditshme të grekëve, as me Shqipërinë, kanë lidhje vetëm me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje dhe që nuk i përkasin fare këtij shekulli, vijnë nga shekuj të tjerë, vijnë nga territoret më të zymta të historisë.

Prandaj, është mirë që të gjithë ta fusin mirë në kokë këtë, se përpara sesa të kenë çdo gjë tjetër, këdo tjetër, himarjotët kanë Himarën dhe Himara nuk është për t’u marrë e për t’u çuar këtej e për t’u çuar andej, Himara është për të ndenjur këtu dhe as për të marrë këndej e për të marrë andej. Himara është të ndenjur këtu dhe për të qenë vendi, ku lulëzon jeta e familjeve himarjote dhe gjeneratave tjera himarjote. Edhe të vijnë të tjerët janë të mirëseardhur, patjetër, por Himara është ajo që vjen nga historia dhe që patjetër imponohet nga e ardhmja. Nuk mund të bëhet Himara shesh për përshesh. Aq më tepër pastaj, me gjithë këto broçkulla. “Jo po i marrin pronat”, “jo, po i zhveshin nga kjo”, “jo po i zhveshin nga ajo”, “jo po i mohojnë këtë”. Çfarë po i mohohet, cila, çfarë po mohohet? Asgjë përveçse po punohet me të gjitha mënyrat me të gjitha mundësitë, sa të jetë e mundur që të përmirësohet çdo ditë. Të bëhet çdo ditë e më e bukur, të bëhet çdo ditë e më mikpritëse, të bëhet çdo ditë e më e pasur.

Po këto janë shumë fjalë. Ka vetëm një fjalë që duhet ta mbani mend, se Vangjel për Vangjel vajti kjo punë.

Një nga arsyet pse ky proces po përmbyllet dhe po e them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejt është këmbëngulja dhe ajo mania gjirokastrite, – gjirokastritet e dini ju si janë, thërrimen e fundit nuk e lëmë pa e numëruar, – e Vangjelit që kam këtu. Prandaj edhe bashkia është bërë me krah, prandaj dhe kadastra është bërë me krah, se ka një usta që i rri mbi kokë edhe i thotë këtu, këtu, këtu.

Dhe prandaj edhe marrëdhënia është më është më e afërt dhe më e afërt me banorët, sepse kanë një njeri që ua kam thënë ditën e parë kur ka ardhw prefekt, provoni ta merrni në telefon edhe më tregoni kur do ndodhi që nuk do ngre telefonin. Kështu që, doni Vangjel për punë, ja ku e keni!

Doni një Vangjel për sherr, prisni një Vangjel me vetulla të rënda që t’iu sjellë sherrin. Kaq e thjesht është. Doni të vazhdojë kjo punë tamam siç vazhdon, thashë opinionet edhe diversiteti në kafene përplasuni sa të keni qejf, se në këtë zonë përplaseni brenda për brenda nëpër shtëpia më shumë se të tjerët për opinione politike gjithë jetën ka qenë kjo, – po jashtë pastaj puna duhet të vazhdojë duhet të vazhdoj. Janë një mijë gjëra për t’u për t’u zgjidhur, nuk janë vetëm këto, një mijë. Por një mënyrë është të rrish të merresh, “jo u bë kjo keq” mënyra tjetër është të ulësh kokën, vazhdo punën, vazhdo punën, vazhdo punën dhe gjërat do përmirësohet, sepse nuk zgjidhen dot të gjitha përnjëherë. dhe këtë gjë kemi bërë ne përditë, këtë gjë kam bërë edhe unë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që kur vij këtu e shikoj me sytë e mi ndryshimin që është bërë i mundur pikërisht sepse ju dhe të tjerët këtu më keni besuar mua, na keni besuar ne.

“Jo po bëmë ne rrugën e Llogarasë” – thotë njëri. Muhabete kot. Këtu nuk hyje dot. Ja është akoma, ka një pjesë lagjja këtu që prapë është keq, një pjesë këtu, duhet të bërë edhe ajo, me radhë, të gjitha duhen bërë, po kush do t’i bëjë? Ata që ata që duan që këtu të ketë vetëm sherr? Ata që duan që këtu të ketë vetëm njerëz të pakënaqur? Ata që duan që këtu të ketë vetëm njerëz që duan të ndajnë kufij e të tundin flamur?

Secili të mbajw kë flamur të ketë qejf në mendje e kë flamur të ketë qejf në shtëpi. Po flamuri i kësaj Republike nderohet dhe respektohet vetëm duke bërë çdo ditë një punë më shumë për këtë vend dhe për njerëzit.”- u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA