Albin Kurti është i bindur se tre kërkesat me të cilat bllokoi takimin me Aleksandar Vuçiç në Bruksel një ditë më parë janë të arsyeshme.
Por ekspertë si Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, nuk ndajnë të njëjtin mendim. Lëvizja e djeshme e kreut te ekzekutivit Kosovar, për Kupchan nuk shkon në dobi të Kurtit. E para, ajo e portretizon Kosovën si palë më kokëfortë dhe, së dyti, u shpreh ai për REL, mosmarrëveshjet afatgjata nuk zgjidhen kurrë me ultimatum.
Kupchan, aktualisht profesor në Universitetin Georgetown, tregon se zgjidhja nuk është e lehtë për asnjërën palë në një situatë të tillë, dhe se liderëve të të dy vendeve, herët a vonë, do t’u duhet të bëjnë “kompromise të vështira” .
“Ky raund është sigurisht një bllokim. Fakti që bisedimet vazhdojnë, është një shenjë e mirë, por ata sigurisht janë bërë jashtëzakonisht të vështira. Ka pasur shumë pak përparim që nga marrëveshja verbale për normalizimin e marrëdhënieve, që është bërë e njohur si Marrëveshja e Ohrit….Mendoj se do të ishte më mirë sikur Kurti të kishte biseduar me Vuçicin dhe t’i kishte nxjerrë në tryezë shqetësimet e tij. Por, të nxjerrësh parakushte dhe të largohesh nga tavolina, sepse ato nuk janë plotësuar, nuk më duket qëndrim konstruktiv”, shprehet ai.
Kapchan shtoi se dy prej kërkesave të kryeministrit të Kosovës i shikon si të arsyeshme, dorëzimin e Milan Radojçiçit që ka pranuar përgjegjësinë në sulmin e Banjskës, dhe atë që lidhet me letrën e ish-kryeministres Ana Bernabiç, por sa i përket këmbënguljes që Vuçiç të nënshkruajë marrëveshjen bazike, këtë e cilëson argument të dobët pasi përpara se të hedhe një hap të tillë, presidenti serb beson me forcë se Kosova duhet të krijojë një herë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Top Channel