Dështimi i takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi një ditë më parë duket se iu faturua Albin Kurtit dhe tri kërkesave të paraqitura prej tij si kusht për bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell pohoi se takimi nuk u zhvillua për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë dhe bëri publike kërkesat e Kurtit. Ato ishin së pari zyrtarizimi i marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqja e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimi i Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Serbia nga ana e saj “nuk ishte e gatshme të përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës duke përmendur kufizimet kushtetuese, ndërsa presidenti Vuçiç tha se është i gatshëm të shqyrtojë opsionet në lidhje me letrën e ish-kryeministres dhe zyrtarizimin e marrëveshjes në përputhje me praktikën e kaluar të Dialogut për të zhbllokuar zbatimin e saj”.

Kurti pohoi se në 2 korrik mund të ketë sidoqoftë një takim në nivel kryenegociatorësh, edhe pse sikurse insistoi ai, nuk do të mund të kemi praktikisht zbatim të Marrëveshjes, për çfarë ne jemi shumë të interesuar, pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin, e për të cilat ne besojmë që kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave: nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike, tërheqjes së letrës së Bërnabiçit, dhe dorëzimit të Radojçicit. Sidomos këtë të fundit, ai e cilësoi si shkelje e nenit 2 edhe nenit 3 të Marrëveshjes Bazike, prandaj tha, nuk shohim alternativa, kompromise apo koncesione ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA