Vrasja në Koridhalo, Xhuliano Halili merr përsipër krimin. Kush është 41-vjeçari i dënuar përjetë edhe për vrasjen e babë e bir

26/06/2024 21:54

41-vjeçari Xhuliano Halili, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy shqiptarëve babë e bir, ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së 35-vjeçarit Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjeçarit Altin Vokrri sot në burgun e Koridhalos.

Halilit i është gjetur një thikë kuzhine me të cilën dyshohet se kreu krimin. Policia ndërkohë po heton se ku e gjeti thikën 41-vjeçari dhe cili ishte motivi i ngjarjes së rëndë.

Ajo që është e çuditshme, është fakti që në vitin 2018, Halili ka qenë bashkëpunëtor me Ndocin gjatë arratisjes nga mjeti i transportit të të burgosurve në Portin e Pireut dhe të dy janë kapur më pas së bashku nga policia greke.

Xhuliano Halili i njohur ndryshe si “Niko”, akuzohet se në nëntor 2011, në Kalamata, ka vrarë shqiptarët Fillim e Oligert Mesaja, 35 e 2 vjeç, me origjinë nga fshati Caj i Kukësit. Vrasja atëherë ishtë porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh.

Halili mësohet se pasi kishte qëlluar me çifte në kokë Fillimin, kishte therur më pas në fyt djalin e mitur të tij. Halili mësohet se është autor edhe i dy vrasjeve të tjera me pagesë, në vitin 2008 dhe 2009, ku viktima të tij ishin dy shtetas grekë.

Top Channel