Tentativë për grusht shteti, ushtarët sulmojnë pallatin presidencial të Bolivisë

26/06/2024 22:57

Një automjet i blinduar është përplasur në pallatin presidencial të Bolivisë, teksa raportohet se disa ushtarë kanë sulmuar ambientet e brendshme.

Sipas BBC, presidenti i vendit ka paralajmëruar për një grusht shteti.

Presidenti Luis Arce kërkoi të “respektohet” demokracia, ndërsa ish-presidenti Evo Morales akuzoi gjeneralin Juan José Zúñiga se po planifikonte të merrte pushtetin, duke u bërë thirrje mbështetësve të greva të bllokojnë rrugët.

Gazeta El Deber citoi gjeneralin Zúñiga teksa kishte deklaruar për gazetarët nga sheshi Murillo se: “Ne do ta rimëkëmbim këtë atdhe.”

Por Presidenti Arce denoncoi ato që ai i quajti lëvizje “të parregullta” të trupave, duke thënë se “demokracia duhet respektuar”.

Morales shkroi: “Një grup i Regjimentit Special Challapata ‘Mendez Arcos’ pushtoi Plaza Murillo me snajperë. Kjo duket se tregon se ata e përgatitën grushtin e shtetit paraprakisht.

U kërkoj njerëzve me mendje demokratike të mbrojnë atdheun nga grupe të caktuara ushtarake që veprojnë kundër demokracisë dhe popullit”.

Ministrja boliviane Maria Nela Prada publikoi një video në llogarinë e saj në Facebook, duke treguar pamjen nga një dritare në një ndërtesë qeveritare.

Ajo tha se ishte dëshmitare e një “përpjekje grushti shteti”.

“Unë jam në pallatin e popullit. Siç mund ta shihni, këtu  është Plaza Murillo i ‘pushtuar’ nga tanke dhe trupa të armatosura. Ne e kuptojmë se është një fraksion i ushtrisë’, tha ajo.

Sipas Maria Nela Prada, njësitë ushtarake kishin zënë pozicione në të katër anët e sheshit dhe nuk po lejonin askënd të hynte.

Morales, presidenti i parë që vjen nga shumica indigjene e Bolivisë, kreu një program radikal pasi fitoi pushtetin në vitin 2005, që synonte adresimin e ndarjeve dhe pabarazive ekstreme sociale.

Ai dha dorëheqjen në vitin 2019 dhe u pasua nga senatori i opozitës Jeanine Áñez, e cila e shpalli veten presidente të përkohshme në nëntor 2019.

Arce fitoi zgjedhjet presidenciale të tetorit 2020, duke rikthyer në pushtet partinë socialiste Mas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA