I nxehti përvëlues ia ka lënë vendin reshjeve të dendura të shiut në disa rajone të Italisë. Një 85-vjeçar humbi jetën në zonën e Parmës pas daljes nga shtrati të një përroi atje.
Në momentin e vërshimit të ujërave, i moshuari ka qenë jashtë banesës së tij e nuk ka mundur dot të shpëtojë. “Kishte punuar të gjithë jetën e tij, vazhdonte të ishte aktiv.
Nuk e meritonte një fund të tillë”, thanë të njohur të 85 vjecarit. Vala e motit të keq në këtë provincë shkaktoi bllokimin e disa rrugëve për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe baltës. Katet e poshtme të një sërë banesave janë përmbytur, ura të vogla u shembën dhe disa familje u evakuuan nga ekipet e ndërhyrjes së shpejtë me gomone.
Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, në disa zona të Parmës, Reggio Emilias e Modenës, autoritetet lokale kanë këshilluar popullatën të kufizojë udhëtimin, ndërsa në Veneto, Lombardi, Piemonte dhe Toskana është dhënë alarmi i verdhë. Një minitornado u regjistrua ndërkohë në Polesine duke shkaktuar dëme materiale, thonë mediat vendase.
Më shumë se 100 telefonata për ndihmë kanë mbërritur në sallën operative të skuadrës lokale të zjarrfikësve, të cilët pohuan sidoqoftë se nuk ka pasur të lënduar.
Top Channel