Ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka sipas The Guardian, një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Dy këshilltarë kryesorë të pretendentit republikan për Shtëpinë e Bardhë i kanë paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë i cili mund të përdoret nëse fiton zgjedhjet presidenciale. Plani parashikon t`i bëhet e qartë Kievit se do të marrë më shumë armë amerikane vetëm nëse pranon të hyjë në bisedimet e paqes. Në të njëjtën kohë, Moska do të paralajmërohet se çdo refuzim për të negociuar do të rezultonte në rritjen e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën.
Ekzistencën e idesë në fjalë e pohoi gjenerali në pension Keith Kellogg, një nga këshilltarët e Trumpit për sigurinë kombëtare. Plani i hartuar nga Kellogg dhe Fred Fleitz, të cilët kanë shërbyer që të dy si shefa në këshillin e sigurisë kombëtare të ish presidentit në periudhën 2017-2021, ka në thelb arritjen e një armëpushimi ndërkohë që vazhdojnë negociatat për fundin e konfliktit. Fleitz pohoi se ia kanë paraqitur tashmë këtë strategji Trumpit dhe ai reagoi pozitivisht.
“Ne u themi ukrainasve: Duhet të vini në tryezë dhe nëse nuk vini në tryezë, mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të mungojë. Po ashtu i thuhet presidentit rus Vladimir Putin se duhet të vijë në tryezë dhe nëse nuk vjen, atëherë ne do t’u japim ukrainasve gjithçka që u nevojitet për të vrarë rusët në fushëbeteje”, deklaroi Kellog. Nuk është e qartë sakaq nëse republikanët do të bien dakord në përgjithësi me këtë plan dhe me idenë e rritjes së shpenzimeve për Ukrainën.
Top Channel