Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 247.000 m2 prona në Himarë në vlerë 35 milionë euro, të cilat u përvetësuan me dokumente të falsifikuara.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë sekuestroi 30 pasuri në Himarë të regjistruara në emër të shtetasve J.J. dhe K.J. nën hetim për veprat penale ‘Falsifikimi i Dokumenteve’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Gjatë hetimeve u konstatua se pronat, në total 247.000 metra katrorë në Himarë, me një vlerë rreth 35 milionë euro, janë përfituar nga personat e mësipërm nëpërmjet dokumente të falsifikuara.
Gjatë hetimeve, Prokuroria arriti të provojë se dokumenti kryesor që ka shërbyer për regjistrimin dhe përvetësimin e këtyre pronave në Gjykatën e Apelit Vlorë, ka rezultuar i falsifikuar.
Për rrjedhojë, me kërkesë së prokurorisë, gjykata vendosi sekuestro preventive të 30 pronave në Zonën Kadastrale 1592 në Himarë.
Top Channel