Talat Xhaferri i dorëzon detyrën Mickoskit: Partitë të jenë të hapura për bashkëpunim për prioritetet e vendit

24/06/2024 10:45

Talat Xhaferri i dorëzon detyrën Hristijan Mickoski, që drejton qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

Duke postuar në rrjetet sociale, momente nga takimi me kreun e ri të qeverisë, Xhaferri i uron sukses Mickoskit në detyrën e tij, ndërsa thekson se “zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike janë vlerë e shtuar e euro integrimeve”.

“Gjatë pranim dorëzimit zyrtar të funksionit kryeministror, Kryeministrit të sapo zgjedhur Hristijan Mickoski i urova punë të suksesshme dhe efikase në interes të të gjithë qytetarëve. I theksuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e euro integrimeve. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit”, shprehet Xhaferi.

Ligjvënësit e Maqedonisë së Veriut miratuan mbrëmjen e së dielës një qeveri të re të kryeministrit Hristijan Mickoski, të mbizotëruar nga nacionalistët. Kjo parti fitoi zgjedhjet e përgjithshme në maj duke u mbështetur në zemërimin e votuesve me ritmin e ngadaltë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Qeveria u miratua me 76 vota pro dhe 22 kundër në parlamentin me 120 vende, ku koalicioni qeverisës përbëhet nga partia VMRO-DPMNE e Mickoskit, aleanca shqiptare VLEN/VREDI dhe ZNAM, një ndarje etnike maqedonase nga Social Demokratët (LSDM ).

Duke e shpallur seancën “historike”, Mickoski, në mandatin e tij të parë si kryeministër, u tha ligjvënësve se ishte koha që “të përveshin mëngët dhe të fillojmë të zgjidhim problemet në vend”.

Ndërkohë Xhaferri, që u bë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, drejtoi qeverinë për gati pesë muaj.

Top Channel