“Po qeverisemi nga robotë që marrin pushtetin për të vjedhur”, fjalimi i fortë i Gjekmarkajt në Kuvend: Thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë tani

24/06/2024 15:16

Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, bëri deklarata të forta drejtuar qeverisë, që e akuzon për vjedhje.

Deklarata e plotë: Të jesh i qeverisur sot në Shqipëri nga “Rilindja” dhe Edi Rama:  Jozef Prudon mund të thoshte i bie të jesh i vëzhguar nga patronazhimi, i inspektuar nga taksidarët militantë, i spiunuar, i kushtëzuar, i përzgjedhur për t’u goditur në encrochat, i parkuar në qoshet e harresës, i indoktrinuar nga emisionet e darkës, lutjes në zyra, pritjes në korridore, i kontrolluar në vullnete politike, i ekzekutuar  në Sky, i peshuar me para si polic i lartë, i censuruar si intelektual, i komanduar si qytetar, nga qenie që nuk kanë as titull, as shkencë, as virtyt!

Këta quhen pushtetarë, ministra në shpinë me kanistra, quhen kryebashkiakë e kaluara e të cilëve shkëlqen si kajmak, quhen zyrtarë që të bëjnë për të marrë, realitetin e bëjnë me barrë!

Karakteristikë kanë një tru që bindet, një bark që nuk nginjet, shëtisin mbi makinë  me xhama të zinj, zgërdhihen me buzëqeshje estetike, na sajdisin me hare propagandistike, me veprime të komanduara, mendime të bllokuara!

Ne qeverisemi nga robotë që marrin pushtet për të vjedhur e vjedhin për të mbetur në pushtet, pasurohen nëpërmjet sundimit e sundojnë duke u pasuruar!

Në luftë janë me zgjedhjet e lira e të ndershme, ndaj rrëmbimi dhe e pandershmja është misioni i tyre.

Një kamerë e padukshme u prin. Aty  artikulojnë Shqipërinë imagjinare, dështimet  e një grupi, bij të babëzisë, prind të egos pa cak, luftëtarë të paepur të pasurimit personal!

Gjuha e re, lepe peqe e lyer me vajin e korrupsionit shqiptohet  me tingujt e  axhit propit si në filmat e kinostudios !

Ajo synon shpërlarjen e trurit shqiptar ! Stërkalkat e pështymes bien mbi fytyrën e një vendi si virus mpirjeje.

Në fillim duke ndryshuar njëanshëm Kushtetutën, tani duke çuar reformën zgjedhore drejt dështimit, duke mohuar në mënyrë totalitare kualicionet parazgjedhore një atentat  ndaj paqes sociale në sytë e gjithkujt po realizohet.

Historia  e zgjedhjeve në Shqipëri u shndërrua në leksion regresi dhe provokimi. Sui generis, si transformohet vullneti elektoral.

Nga kjo foltore, dua t’i kujtoj faktorit ndërkombëtar në Tiranë, miqve dhe aleatëve, të cilët u bënë kumbarë të “marrëveshjes së 5 Qershorit 2020”, e cila pak ditë më vonë në mënyrën më të pabesë, u prish që të pengohej rrotacioni, duke i lënë ata me gisht në gojë pa justifikim e shpjegim se koha për të reflektuar është sot!

Në qershorin e vitit 2020 ata lejuan, ose nuk e priten që Ujku të hungrojë me piskamë, të marrë mbi qafë jo vetëm mëlçitë, por edhe zorrët, organet e jashtëqitjes me të cilat ndyu zgjedhjet e vitit 2021, duke nxjerrë në fund një diferencë prej 37 mijë votash e cila prodhoi shumë mandate, dhe rreth 87 mijë vota të pavlefshme!!

Kjo njollë nuk e bëri qeverinë e Edi Ramës më demokratike, me bashkëpunuese, më të ndershme, me respektuese thjesht më agresive, më të përqëndruar në korrupsion e skandale, më të strukturuar në manipulimin e votës, më të yshtur në shitblerjen e saj. Armike të çdo standardi, mike të çdo vesi!

Frika e ndëshkimit ju ka bërë të hazdisur në ndërtimin e piramidës së fajit. Si skllevër të Keopsit, vetëm gurë të rinj shtoni mbi të.

Ndersa ata, dorëzanet faktori ndërkombëtar në vend që të shfaqej më reagues u ndie më i anashkaluar më i kompleksuar, më tolerant me hajdutin dhe më i ashpër me viktimën.

Ata shpesh në këto vite kur kanë dështuar ta bindin Kryeministrin të ndryshojë rrugë kanë insistuar të fusin opozitën në rrugën e tij.

Një sjellje kjo “buona per l’Albania” por e papranueshme në vendet e tyre fanar demokracie e shprese nëpër ujdhesat e humanitetit.

U bëj thirrje sot miqve dhe aleatëve të ngrihen në lartësinë e nevojave që Shqipëria ka, duke i nderuar vendet që përfaqësojnë, të ngenë zërin dhe dorën politike në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, në mbrojtje të opozitës dhe të drejtave të saj!

Në fund ta bëjnë për Shqipërinë për të cilën taksapaguesit e tyre kanë paguar miliarda euro e dollarë…!

Ta bëjnë në emër të misioneve paqeruajtëse e stabilizuese që dikur sollën për të shuar konfliktet!

Ta bëjnë për NATO-n dhe BE-në që na ka dhënë iluzionin e aspirantit….!

Ta bëjnë për shqiptarët se përpjekjet e tyre në histori për të mbetur pjesë e Perëndimit e meritojnë!

Miqtë ndërkombëtarë në Tiranë gjenden në një paradoks mes demokracisë dhe stabilokracisë dhe çudia është se ata e dinë mirë teorikisht se goditja e së parës shkallmon dhe të dytën.

Sot lidershipi opozitar gjendet nën represion. Sali Berisha në arrest pa asnjë akuzë në kundërshti me Kushtetutën.

Atij i pengohet jeta politike si ndihmë për qeverinë në vit elektoral. Kjo ndihmë do të jetë fatkeqësia juaj.

Kolegët socialistë, veç dy gjëra mbllaçisin në ligjërimin e tyre, “non grata dhe ballkoni”, a thua se kjo ju mbron nga skandalet, a thua se kjo ju bën më të ndershëm, më pak të mërzitshëm, më pak hajdutë, më pak gënjeshtarë, më shumë kurajozë, a thua se kjo është liçensë për të vrarë pluralizmin dhe demokracinë, a thua se kjo ju heq tisin e banalitetit dhe mungesës së turpit që ju karakterizon, a thua se kjo po i ndalon shqiptarët të ikin nga sytë, këmbët, a thua se kjo Republikën tonë të përdhunuar duhet ta kthejë në një Mbretëri të betonuar?!

Mbijetesën tuaj e shpresoni jo tek alternativa se prej shumë stinësh nuk jeni më, por duke tentuar asgjësimin e opozitës, duke provokuar popullin e saj.

Ju  siguroj se ringritja e saj është e pandalshme e bashkë me të fundi juaj politik!

Miqtë ndërkombëtare shohin dhe dëgjojnë, ata e dinë se qeveria nuk mund ta zgjidhë problemin, të cilin ajo vetë krijon çdo ditë! Koha për të folur është tani! The Time is Noë! Pastaj fjala u takon qytetarëve të këtij vendi.

Në paradoks gjendet dhe opozita, e cila jeton dilemën e madhe për formën e rezistencës së saj.

Për aq sa themi sot se në Shqipëri ka demokraci e themi se ka opozitë dhe përsa themi se në Shqipëri ka regjim e themi pikërisht për ketë qeveri dhe kryeministër, binom ky që mendon se frika mund dëshpërimin, paraja guximin, kërcënimi revoltën, krimi votën e lire pa vënë në hesap se vendi i tyre, vendi ynë dhe i imi i ngjan një tenxhereje me presion gati të shpërthejë.

Vërtetë euro bie duke vënë në pikëpyetje stabilitetin ekonomik, po kjo s’do të thotë se ka rënë dëshira për të mbrojtur liritë e fituara më shumë mund.

Vërtetë kullat e parasë së drogës ngrihen po mos vini bast së krenaria e shqiptarve është ulur apo  asgjësuar!

Nuk ka një qeveri të dytë në Europë që e ka shndërruar Parlamentin në teatër komedie!

Kryeministri ikën çdo ligji dhe rregulloreje, çdo debati me opozitën!

Nuk ka një vend të dytë në Europë ku zgjedhjet shndërrohen në prelud tragjedie për demokracinë, e cila është më afër autoritarizmit sesa vetë konceptit në momentin që flasim, kur dihet e duhet të shënonin përsosjen e saj!

Nuk ka një tjetër vend në Europë, ku drejtësia nuk heton krimin zgjedhor duke e përligjuar atë me dosjet e famshme që bënë bujë në shtypin botëror por jo në ndërgjegjet profesionale të gjykatave tona.

Të jesh i qeverisur nga kjo pseudomazhorancë që pengon rrotacionin si qëllim në vetvete, me instrumente të pistë, me hile dhe korrupsion do të thotë të jesh, në çdo operacion, ose në çdo aksion , në çdo lëvizje, i shënuar, i regjistruar, i rishikuar, i vulosur, i prerë, i cituar, i këshilluar, i ndaluar, i reformuar, i rregulluar, i korrigjuar, i persekutuar!

“Do të thotë, nën pretekstin e dobisë publike dhe në emër të interesit të përgjithshëm, të detyrohesh të kontribuosh, të stërvitesh që të zhvatesh, të shfrytëzohesh, të monopolizosh, të shtrydhesh, të mistifikohesh, të grabitesh; pastaj, me rezistencën më të vogël, në fjalën e parë të protestës, të gjendesh, i shtypur, i gjobitur, i sharë, i gjuajtur, i ngacmuar, i rrahur, i çarmatosur, i lidhur, i burgosur, i gjykuar, i dënuar, i dëbuar, i flijuar, i shitur, i tradhtuar dhe, si të mos mjaftonte, i tallur, i indinjuar, i çnderuar”.

Këtu është qeveria, ja drejtësia e saj, ja morali i saj në 12 vite  ku i dhuruan Shqipërisë vetëm mjekrat e tyre duke i rrëmbyer asaj gjithçka tjetër!

Por këtu është edhe opozita, këtu është Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj, këtu është shoqëria shqiptare, e cila do të përballet me ju, duke lënë për një çast mënjane kristianizmin dhe islamizmin, duke shkuar thellë në kohe në gjeneze tek religjioni hebraik, duke u kujtuar se jemi këtu për t’u përballur dhemb për dhemb e sy për sy në emër të vlerave më të mira që ky vend mbart, në emër të vlerave europiane që duam t’i bëjmë tonat kundër çdo mishele të politikes me krimin, të krimit që vjedh zgjedhjet për të mbajtur në këmbë një qeveri që po shuan Shqipërinë!

Mos luani me reformën zgjedhore, mos luani me zgjedhjet, mos ia dorëzoni totalisht Shqipërinë krimit te organizuar, parlamentin ligjet dhe pronat publike atyre!

Shqiptarët po i fusni në udhëkryq! Sot ata janë mes krimit dhe demokracisë, mes lirisë së zgjedhjes dhe zgjedhjes së detyruar!

Nëse dikush atyre duhet t’u dale Zot përballe kriminelëve dhe qeverisë simbol i tyre me çdo sakrificë të zakonshme a sublime deputetët e opozitës do të jenë në ballë të betejës!

Nëse doni me patjetër të na vini kriminelët përballë e të na shndërroni në gjah,  gjë që ne se duam se jemi njerëz të zakonshëm në një situatë të pazakonshme, sepse dëshirojmë normalitetin, standardet jo konfrontimin, bujrum bëjeni, e keni traditë që nga 1945, mund ta bëni përsëri, por do të merrni dhe faturën po kaq edhe gjykimin!

Krimet e gjenezës dhe lidhjet me to në bashkohësi ju kanë bërë të humbisni gjenezën e atdheut!

I vetmi gur kufi që ju lidh me të është kërthiza mbi zhabën e pushtetit!

Në legjendën e Kamelotit thuhej “i shërbejmë njëri-tjetrit që të mbetemi të lirë” ndërsa ju i shërbeni një njeriu që të të shndërrohemi të gjithë në robër! Nuk do ju lejojmë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA