Gjykata e Posaçme vendos masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit për Besim Çepelen

24/06/2024 11:10

Gjykata e Posaçme vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit për Besim Çepelen.

Çepele, nën hetim nga SPAK, duhet të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në dy javë, ditën e premte në orën 15.30.

Sipas njoftimit të SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 21.06.2024 NR. 64 AKTI, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Marrjen në pyetje dhe vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 234 dhe 233 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Besim Çepele me vendimin Nr.55, date 13.06.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata bazuar nenet 112 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 64, datë 24.06.2024, vendosi:

Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 234 dhe 233 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Besim Çepele me vendimin Nr.55, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Urdhërohet personi nën hetim Besim Çepele, që të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në dy javë, ditën e premte në orën 15.30.

Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikues të vlefshme për daljen jashtë shteti, për personin nën hetim Besim Çepele.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA