Debat me Zhupën e PD-së dhe Leka Bungon e Këshillit Drejtues, Alfred Peza flet për shkarkimet në RTSH: 200 vetë rrinin në kafe, paguheshin ata që jetonin jashtë vendit

24/06/2024 19:58

Për herë të parë Alfred Peza ka folur lidhur me shkarkimet e ndodhura në Radio Televizionin Shqiptar, nga koha kur ai mori drejtimin.

Në komisionin e Medias ku ai është thirrur sot, ka deklaruar se termi largime masive për të është “fake news”, dhe se shkarkimet kanë ardhur për shkak të fenomenit të “vegjetimit prej vitesh, pa produkt pune të disa punonjësve”.

Më pas ai pati një përplasje në debat me deputeten e PD Ina Zhupa, e cila i tha: Ka shkelur procedurat për heqjen nga puna.

Por Peza renditi arsyet e largimit.

“21 punonjës në pension 21, të dorëhequr 89, me procedurë 44, braktisje të vendit të punës rreth 12, pra në total 166. Thyerje e disiplinës në punë, braktisja e emisionit, shkelja e statutit.

Kemi gjetur në institucion prej 20 vitesh në punë pa ardhur asnjë ditë, 18 vite pa asnjë produkt gazetarët, 8 vjet drejtues, nivelet më të larta, asnjë punë, paguheshin punonjës që jetonin jashtë e punonin jashtë.

Nëpër kafe rrinin nga 200-300 veta, në diskutim as konkurrenca, as cilësia, as plotësimi i kritereve, diskutimi nëse duhej të vinin apo jo në punë. RTSH e gjeta në vdekje klinike, me 0.01% audiencë dhe çdo gjë ishte me drita të kuqe”, tha ai.

Më pas Ina Zhupa u përplas edhe për pasojat financiare të shkarkimeve, duke thënë se bëhet fjalë për para publike.

“Asnjë dëm financiar vendimet. Janë gënjeshtra, u tha që ka 46 procese të hapura, ky numër nuk është i saktë, asnjë proces nuk ka vendime të formës së prerë”, u përgjigj Peza.

Në debat ka ndërhyrë edhe Leka Bungo, i cili u shpreh: I kam thënë mos pusho njerëz nga puna, kushtojnë se do fitojnë gjyqe. T’i them unë dy emra që kanë fituar njëri 30 milionë.

Në dëgjesën me deputetët për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Peza mohoi edhe dorëheqjen e përfolur disa muaj më parë nga drejtimi i RTSH.

Top Channel