Fermerët e disa fshatrave të Kolonjës janë dëmtuar si pasojë e breshërit të një dite më parë.
Të mbjellat e tyre janë prekur masivisht duke shkaktuar dëme në masë si në perime ashtu dhe në pemëtari dhe vreshtari.
Sipas të dhënave fshatrat e prekur janë Rehova, Taçi, Starja, Gjonçi, etj ku qindra hektarë me fruta perime dhe mijëra rrënjë kryesisht në mollë dhe kumbulla janë thuajse të shkatërruara.
“Rreshjet e shiut dhe të breshërit filluan rreth orës 4 pasdite dhe mbajtën rreth 1 orë e 15 minuta pa pushim. Kanë bërë dëme shumë të mëdha në rrugë fshatrash, lumenj kanë dalë nga shtrati dhe kanë bërë shumë dëme në pemëtari. Mund t’i shumëzojmë me zero sepse i ka shkatërruar të gjitha pemët përfundimisht. Ka bërë dëme kudo, në misër, grurë, thekër. Rehova pati shumë dëme, më paa të treja lagjet e Starjes dhe Tacci. Pati kudo, dhe në Selenicë, Gjonë e Prodan. Ne si institucion i bashkisë kemi ngritur një grup pune nga bujqësia dhe po shkojnë fshat më fshat për të verifikuar dëmet. Janë në terren, kemi shpërndarë edhe fadromat e bashkisë në rrugët që janë dëmtuar që të bëjnë kalimin e banorëve. Nuk kemi dëme në njerëz, kafshë, janë vetëm dëme materiale”, tha Altin Zoto-administrator.
“Dje ishte një katastrofë në fshatin Rehovë, në frutikulturë, pemëtari, të gjitha i çoi në zero. Puna e Mars, Prill, Maj, Qershor shkoi dëm e gjitha. Më e keqja është se në këtë vend e në këtë kohë nuk mbillen prapë të tjera. Sa hyn në prodhim, të gjitha janë bërë copë. Gjysmë ore ra dhe e çoi të gjithë përtokë. Ne kemi hapur një bujtinë dhe kopshtin për këtë e kam bërë, të gjitha bio. Deri tani s’kanë ardhur për të verifikuar, mbase vijnë më vonë. Po merremi me pastrimin që ta kthejmë në funksion bujtinën”.
“Breshëri dje nisi në orën 16:30-17:00 dhe bëri dëme të konsiderueshme sidomos në sektorin e bujqësisë. Ja ku janë dëmet në bimën e fasules që nuk ripërtërihet më, në domatet, në piperka, presh, dhe në grurë që është sektori i parë i bujqësisë. Breshëri zgjati rreth 1 orë e gjysmë këtu në Rehovë, me vrull e kokërr të madhe e prishi çdo gjë. Që në pemët frutorë, rrush, mollë, dardha, të gjitha me radhë, shumë dëme, në qershi, lajthi. Dëmet janë të parikuperueshme, presim ndihmën nga shteti për bujqësinë, të na sigurojë shteti për atë që tani është shumëzuar me zero. Bashkia ka ardhur, ka rregulluar rrugët sepse hapi përrenjtë. Ju jeni të parët që po vini e po shihni gjendjen në Rehovë të Kolonjës.”
Për fermerët dëmtimet nga fenomenet e pazakonta natyrore janë një shqetësim i përhershëm për të cilin ata asnjëherë nuk kanë gjetur zgjidhje. E vetmja përgjegjësi e institucioneve lokale dhe qëndrore mbetet evidentimi i dëmit që pësojnë fermerët por në asnjë rast kjo nuk shoqërohet me kompensim apo politika të tjera lehtësuese për ta.
Top Channel