Gjykata antikorrupsion vendosi 700 mijë lekë garanci pasurore ndaj Fatmir Ejupit, punonjës i Urbanistikës në Bashkinë Durrës dhe që është një nga dhjetë të dyshuarit e dosjes “Vangjush Dako”.
Kjo shumë do të qëndrojë e bllokuar në një llogari bankare si një masë sigurimi personal alternative ndaj të dyshuarit.
Masa u dha nga gjykata e posaçme nën aprovimin e SPAK që prej një viti hetoi dhe ka ngritur akuzë ndaj shtatë punonjësve të bashkisë Durrës e së bashku me ta edhe kundër ish kryebashkiakut Vangjush Dako, shpallur non grata nga SHBA.
Në dosjen e bujshme për të cilën një vit më parë u shpallën masa arresti mbasi u gjetën shkelje në dhënien e lejes së ndërtimit për një pallat si dhe në projektin Promenade, masat janë zbutur me kalimin e kohës dhe aktualisht të dhjetë të dyshuarit janë të lirë
Garancia pasurore duhet të paguhej sipas gjykatës brenda dy ditësh dhe një urdhër i tillë është zbatuar menjëherë duke sjellë lirimin e menjëhershëm të inxhinierit, Garancia vlerësohet si kusht që i dyshuari të mos largohet deri në përfundim të gjykimit.
Më herët për shkaqe procedurale u zbut masa edhe për Dakon që si kryebashkiak e kryesoi Durrësin përgjatë tre mandateve. Ish-funksionari nën akuzë për shpërdorim detyre u mbajt në paraburgim derisa çështja u dorëzua nga SPAK në gjyq paraprak, ku dhe u kërkua një ekspertizë për vlerën e dëmit gjatë një tenderimit.
Gjyqi aktualisht është në themel. Procesi është shtyrë vazhdimisht dhe seanca e radhës është caktuar këtë të enjte.
Top Channel