Rritet me 78 për qind numri i turistëve të huaj dhe vendës në Butrint, 44 mijë vizitorë që nga fillimi i vitit

22/06/2024 12:09

Parku Kombëtar i Butrintit, pasuri e UNESCO që prej fillimit të vitit ka pritur rreth 44 mijë vizitorë të huaj dhe vendas. Vizitorët ndjekin itinerarin klasik që përshkon monumentet kryesore të evidentuara brenda parkut por këtë vit të vizitueshme janë edhe kalatë mesjetare jashtë mureve të qytetit antik.

“Këtë vit kemi rreth 44 mijë vizitorë ose rreth 78% më shumë se viti i kaluar deri më mes të qershorit. Stafi i administrimit të parkut të Butrintit është fokusuar në pastrimin nga vegjetacioni dhe ekspozimin më herë në kohë të dy prej kalave periferike ajo trekëndore veneciane dhe kalaja e Ali Pashës në grykëderdhjen e kanalit të Vivarit. Të dy këto destinacione kanë qenë atraktive dhe kanë tërhequr vizitorë”, u shpreh Dorina Dhima, përgjegjëse për administrimin.

Piter dhe Laura janë udhëtarë të vetmuar. Ata vijnë nga Zelanda e Re dhe nuk preferojnë të udhëtojnë në grup dhe as të guidohen. Në mënyrën e tyre ja kanë dalë të mësojnë shumë gjëra rreth rrënojave të Butrintit, jetës lokale, ushqimit dhe transportit.

“Ne vijmë nga Zelanda e Re. Ishim të vendosur në Greqi, vendosëm të fluturojmë drejt Tiranës. Arritëm këtu me autobus dhe nesër do marrim tragetin për në Korfuz. Jemi të interesuar për arkeologjinë jo në nivel profesional por kjo ishte përvojë fantastike.Shqipëria ishte kaq e panjohur për ne por zbuluam disa nga njerëzit më miqësorë që kam njohur”, tregoi Laura.

“Ne nuk na pëlqen të guidohemi. Na pëlqen ti zbulojmë gjërat vetë. Lexuam shumë online për sitin pastaj morrëm autobusin lokal këtu dhe erdhëm. Çdo gjë ishte e lehtë sepse unë kam një eksperte me vete, gruan time. Vizita në park ishte shumë e rehatshme sepse ka shumë vegjetacion që mesa di është gjithashtu i mbrojtur”, shtoi Piter.

Vizitorë të tjerë mbërrijnë në grupe dhe ndjekin itinerarin 1 ditor nga Korfuzi e sërish në mbrëmje në Korfuz.

“Nuk dija asgjë për Shqipërinë por qenka bukur. Është disi vapë por po ja dalim. Ne erdhëm këtu vetëm për një ditë për të vizituar parkun dhe do kthehemi në darkë në Korfuz. Para se të ikim do të drekojmë diku buzë detit”, u shpreh një vizitor anglez.

Guidat flasim për më shumë interes këtë vit por një profil disi të ndryshëm vizitorësh. Grupet masive të vizitorëve për shkak të kohës së limituar duket se shpenzojnë më pak para tek stendat e artizanëve këtë vit.

“Kam shoqëruar grupe të mëdha francezësh që vijnë ne vendin tonë dhe ngelen të kënaqur. Ata që vijnë në Butrint patjetër që kanë interes për monumentet tona. Këtu mozaiku duhet të ekspozohet sepse kërkohet. Zgjidhja duhet të ekzistojë sepse para të mëdha thith ky park”, tha guideri Qzim Hado.

Butrinti e mbylli viti 2023 me rreth 120 mijë vizitore dhe një arkëtim total të ardhurash rreth 77,5 milionë lekë prej të cilave 90% shkojnë për administrimin e brendshëm të parkut. Gjatë këtij viti disa ekipe studimore po sjellin të dhëna dhe observime në funksion të zgjerimit të kërkimit shkencor rreth sitit. Universiteti i Bolonjës është duke realizuar aktualisht profile në 3D të kokave të 5 statujave të teatrit të Butrintit të zbuluara nga Ugolini në vitit ’20 të shekullit të kaluar. Kolegji i Utikës po kryen një hulumtim antropologjik të mbetjeve skeletore që sjell të dhëna me vlerë për stilin e jetën së banorëve antikë si dhe thellohet në studim në drejtimin kriminalistik.

Butrinti ofron magjinë e rrënojave të disa periudhave me teatrin, bazilikën dhe tempujt e shumtë. Ai është një park i mbrojtur natyror për shkak të habitatit të veçantë natyror me rreth 1200 specie të faunës dhe të florës. Liqeni i Butrintit është habitati i rana epirotica, një specie e rrallë e bretkosës unike të këtij territori. Gjithashtu qyteti i dafinave strehon qindra zogj një pjesë e të cilëve janë pjesë e librit të kuq të specieve të mbrojtur prej Konventës Ramsar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA