Qindra të apasionuar pas praktikave të meditimit e displinës trupore të jogës shiheshin dje në agim te diellit, në plazhin e famshëm të Copacabana në Rio de Janeiro, për një sesion masiv në Ditën Ndërkombëtare të Jogës.
Praktika e meditimit të jogës bazohet në ndërgjegjësimin për energjinë mendore dhe reflektimin e saj në qendrat e energjisë në trupin e njeriut.
Pjesëmarrësit shpreheshin të magjepsur nga ndjesia e sinkronizuar njerëzore, e intensifikuar nga agimi diellit që është një pikë e rëndësishme reference në meditim.
“Të provosh së bashku këtë energji të agimit, me të gjithë publikun e mbledhur këtu, është ringjallëse, e mrekullueshme”, tha drejtuesi i sesionit ‘jogi’ Amila Gomes pas senacës së titulluar “Yoga ao Sol Nascer” (Joga në Agim).
Andreia de Lemos, pedagoge portugeze 48 vjeçare e quante një moment i mrekullueshëm.
“Ishte e mrekullueshme, agimi ishte fenomenal, ky ishte një moment që ne të gjithë e prisnim prej kohësh. Jam e bindur që ka shëruar shumë nga ne, ndoshta dhe të tjerë që nuk ishin këtu me ne”.
32 vjeçarja vendase Thais Ferreira, shtonte për eksperiencën e saj:
“Kisha nevojë për këtë që të rigjeja veten, të lidhesha me universin. Tre javë më parë kam humbur babanë, më herët më ka vdekur dhe nëna. Mendoj se universi tani më ka treguar një sens vërtetësie për jetën time, më ka risjellë në vete. Po shkoj tani se më duhet të qaj”, tha gruaja e emocionuar”.
Psikologia 26 vjeçare Amila Gomes, shtonte se ndjeu energjinë që krijohej nga shpirtrat e mbledhur në plazhin e agimit.
“Ishte një rikarikim me energji. Unë vij shpesh këtu në plazhin Copacabana por nuk kisha provuar kurrë një agim të tillë bashkë me publikun këtu. Zemra të mbushej me dashuri dhe emocion, ndjehesha sikur isha në vitet e para të jetës, sikur isha prane burimit tim, bashke me të gjithë të tjerët”, tha Gomes për AFP.
Top Channel