Mark Rutte do të jetë sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s pasi të 32 anëtarët e aleancës ranë dakord që kryeministri holandez në largim të pasojë Jens Stoltenbergun në drejtimin e organizatës më të madhe ushtarake të botës.
Pas drtitës jeshile nga Hungaria dhe Sllovakia, edhe Rumania e konfirmoi mbështetjen e saj për Rutten dhe presidenti rumun Klaus Iohannis tërhoqi kandidaturën e tij për postin kryesor të NATO-s. Që korrikun e vitit të kaluar, Rutte i dha sinjalet me deklaratën se do të tërhiqej nga politika pas 13 vitesh si kryeministër i Holandës, periudha më e gjatë në këtë post deri më sot në vendin me 17 milionë banorë.
Partia liberale e djathtë VVD e Rutte-s e konsideronte si të butë politikën e tij të azilit dhe koalicioni i brishtë qeverisës i përbërë nga katër parti dështoi. Pasuan zgjedhjet e reja, që ifitoi ekstremisti i djathtë Geert Wilders. Mark Rutte nuk mundi më ta pengonte këtë spostim djathtas. Kjo ishte humbja më e madhe politike në jetën e tij. Më 2 korrik ai përfundimisht u tërhoq nga posti i kryeministrit. Për gati një vit ai vazhdoi të qëndrojë në detyrë megjithatë si i komanduar për shkak të vështirësive me krijimin e qeverisë në Holandë.
Por ndërkohë, ia kishte vënë syrin postit Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, e për gati 7 muaj zhvilloi një fushatë të kujdesshme individuale elektorale tek kryetarët e shteteve dhe të qeverive, të cilët i njihte prej vitesh nga forume të ndryshme ndërkombëtare. Mbështetës i palëkundur i aleancës transatlantike dhe një ndër përkrahësit më të flaktë të Ukrainës 57-vjeçari i diplomuar si historian arriti të bindë fillimisht SHBA-në dhe më pas shumicën e aleatëve të tjerë. Rutte sidoqoftë e merr drejtimin e NATO-s në një kohë kritike për aleancën.
Puna e tij nis në 2 tetor, pak më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, të cilat do të formësojnë fatin e aleancës ushtarake që ka shërbyer si bllokuesja më e suksesshme ndaj një Rusie agresive në Europnë Lindore. Ish-presidenti i SHBA-së, republikani Donald Trump, kandidati aktual republikan, është zotuar për qëndrim në NATO, por kërcënon se do ta reduktojë ndjeshëm ndihmën e SHBA-së për Ukrainën nëse rizgjedhet.
Top Channel