“Vrite, helmoje, që shqiptari të mos ekzistojë”, a do ta bojkotojë Serbia Europianin, “e lënduar” nga thirrjet utranacionaliste?

21/06/2024 13:36

Tifozët e Serbisë lënë sërish “markën” e tyre në ndeshjet e Euro 2024.

Pas thirrjeve “Kosova është Serbi” në stadiumin “Veltins Arena”, ultrasit nacionalistë serbë brohoritën kundër shqiptarëve edhe në derbin ballkanin me Slloveninë, të zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut.

Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga koha e rregullt, siç kuptohet edhe nga pamjet (Oblak sapo ka shmangur një rrezik në zonën e Sllovenisë), në sfond dëgjohet kori i ultrasve serbë që thërrasin: “Vrite, helmoje, që shqiptari të mos ekzistojë”.

Një skenë turpi, për të cilën UEFA duhet të ndërhyjë dhe Federata Serbe e Futbollit të mbajë përgjegjësi. E të mendosh që fill pas ndeshjes së kuqezinjve me Kroacinë, ishte po kjo federatë që kërcënoi me bojkotin e Euro 2024 për thirrjet e pretenduara kundër serbëve të tifozëve kroatë dhe atyre shqiptarë.

Mbështetësit e Serbisë, në fakt, e shfaqën “lëkurën” edhe me sendet e hedhura drejt lojtarëve sllovenë, pas golit të shënuar nga Zan Karnicnik.

“Zëri” i stadiumit u detyrua të ndërhynte në 10 minutat e fundit, duke paralajmëruar të pranishmit që të mos hidhnin asgjë në fushë.

Reagimi në rrjetet sociale i të pasionuarve të futbollit, që e panë ndeshjen në TV ishte i ashpër: “E neveritshme!”, “Tifozët serbë janë një turp”…/Super Sport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA