AMP ekzekuton vendimin e Gjykatës për pezullimin e një punonjësi policie në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të thelluara të kryera bazuar në referimin e materialeve procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ekzektuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Jurisiksionit të Përgjithshëm Tiranë ndaj punonjësit të policisë E.D., 38 vjeç, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Vendimi i Gjykatës ka ardhur pasi nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, janë siguruar prova dhe fakte, të cilat përbëjnë dyshime të bazuara se gjatë një operacioni të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë, në datë 11.06.2024, për identifikimin dhe kapjen e autorëve, posedues të një parcele ku kultivohej lëndë narkotike, ky punonjës policie, duke shfrytëzuar informacionin që kishte për shkak të detyrës, ka kryer veprime aktive për njoftimin e njërit prej autorëve, me të cilin kishte lidhje të afërta familjare, me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë me prova ligjore të veprimtarisë së dyshuar.
Top Channel