Koordinatori i Departamentit të Shtetit të SHBA për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew ndodhet në Shqipëri.
“Sot mirëpresim Richard Nephew, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Anti-Korrupsionin Global. Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan Ambasada Amerikane.
Me argumentin se situata në Ballkan vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së, presidenti amerikan Joe Biden e zgjati edhe me një vit urdhrin ekzekutiv për gjendje të jashtëzakonshme në rajon, disa ditë më parë.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkan, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet përçarëse, dhe situata në Ballkan, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”, thuhet në urdhrin e nënshkruar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Për këtë arsyeje, sipas njoftimit, gjendja e jashtëzakonshme për Ballkanin duhet të mbetet në fuqi edhe pas datës 26 qershor 2024. Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan. Masat iu referuan Maqedonisë së Veriut, shkeljes së Marrëveshjeve së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuar për Kosovën.
Në 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar. Në këtë urdhër thuhet se situata në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit – duke përfshirë cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas rënies së Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkani – pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.
“Për këtë arsye paraqet një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”, theksohet në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Top Channel