Ditëlindja e mbretit Charlsi i Tretë kremtohet në Tiranë! Ambasadori britanik: Mbështesim Shqipërinë ekonomikisht

20/06/2024 21:10

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë kremtoi ditëlindjen e monarkut britanik Charlsit të Tretë.

Përpara shumë të ftuarve, ambasadori britanik Alaistar King Smith, i veshur me një kostum tradicional skocez, vlerësoi miqësinë e gjerë e të thellë mes Britanisë së Madhe dhe vendit tonë.

“Ashtu siç edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Lord Cameron tha kur ai vizitoi Shqipërinë muajin e kaluar, ne kemi tashmë një partneritet të gjerë që po lulëzon.

Një partneritet për sigurinë. Një partneritet për mbrojtjen. Një partneritet të zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Një partneritet për drejtësinë. Dhe kjo është bërë e mundur si rrjedhojë e miqësisë sonë dhe punës suaj të palodhur. Tani, vende të tjera duan të mësojnë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar. Mënyrën se si krijuam një partneritet dypalësh që po jep kaq shumë rezultate, kaq shpejt”, tha ambasadori.

Britania e Madhe, theksoi ambasadori King-Smith, është e vendosur të vijojë së ndihmuari Shqipërinë edhe në aspektet ekonomike.

“Ne do t’ju ndihmojmë të nxisni lidhjet rajonale dhe të investoni në hekurudha dhe infrastrukturë, në mënyrë që ju dhe gjithkush, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të mund të udhëtoni lehtësisht, të bëni tregti dhe biznes me njëri-tjetrin. Ne do të mbështesim bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për sigurinë kufitare, do të forcojmë mbrojtjen tuaj kibernetike dhe do të kryejmë më shumë operacione të përbashkëta mes forcave tona policore, prokurorëve dhe agjencive të inteligjencës për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, u shpreh King-Smith.

Pjesë e fjalës së ambasadorit ishin edhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria.

“Por, ndërsa gjithashtu ekzistojnë shumë kërcënime të jashtme, sfida më e madhe e Shqipërisë, ndërsa vazhdon në rrugën e saj euro-atlantike, me shumë gjasa vjen së brendshmi. 

Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nëse ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelët para ligjit”, shtoi ambasadori.

Dhe në fund, dollia tradicionale britanike për Mbretin Charls.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA