Një efektiv policie është plagosur me thikë në dorë në Durrës, ndërsa tentoi të neutralizonte një person që lëvizte me thikë në zonë.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 11:00, është marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëvizte në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një thikë, në dorë.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar autorin e identifikuar si F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ndërsa thika është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Sipas gazetares së Top Channel, Vali Qyrfyçi, nga marrja në pyetje e 38-vjeçarit ka rezultuar se personi ka probleme të shëndetit mendor. Nuk ka qenë i skeduar nga policia si person problematik.
Top Channel