Presidenti Begaj takohet me kryetarin e bashkisë së Hamburgut, zbardhen temat e diskutimit

19/06/2024 20:51

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parë i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher.

Ky takim u vlerësua nga Presidenti Begaj si një sinjal pozitiv, që evidenton interesin për rritjen e nivelit të dialogut politik me Landin e Hamburgut, si dhe zgjerimin e mundësive të reja të bashkëpunimit.

Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Landet e Republikës Federale të Gjermanisë, si Bavaria, North Rhine Whestphalen dhe tani me Hamburgun.

Gjatë bisedës u vlerësua mbështetja që Gjermania dhe Landet e veçanta tregojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në takim u nënvizua nevoja e shtimit të kontakteve dhe vizitave të ndërsjella, përfshi shkëmbimin e vizitave ndërparlamentare me Parlamentin e Hamburgut, apo midis ministrive të ndryshme. Me këtë rast, Presidenti Begaj ftoi z. Tschentscher për një vizitë në Shqipëri, ku do të diskutohen projekte konkrete të bashkëpunimit.

Ndër fushat e bashkëpunimit u nenvizuan: tërheqja e investimeve nga Hamburgu, arsimi profesional, transporti detar dhe porti i ri i Durrësit, smart city, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, binjakëzimi me qytete shqiptare, etj.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihmën e dhënë nga bashkia për shoqatat që nxisin mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë.

Në këtë takim Presidenti i Republikës u shoqërua nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, znj. Adia Sakiqi, Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, dhe deputeti Ferdinand Xhaferri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA