“Shqipëria pa eksperiencë, më zhgënjeu mbyllja në mbrojtje ndaj Italisë”, Tare analizon kuqezinjtë: me Kroacinë të futen ata që duan “të vdesin” në fushë

18/06/2024 19:43

Sfida e parë përballë Italisë nuk shkoi ashtu siç pritej, me Shqipërinë që u mposht 2-1. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Igli Tare ka analizuar performancën e skuadrës në ndeshjen kundër “Azzurrit” dhe se çfarë pret nga takimi me Kroacinë.

“Skuadra jonë nuk luajti mirë pas golit në pjesën e parë, por në të dytën gjërat shkuan pak më mirë. Kjo skuadër ka cilësi të madhe. Jo rastësisht përfunduan në fazën kualifikuese si fitues të grupit. Ata thjesht nuk kanë përvojë në këtë lloj turneu dhe ky ishte problemi kundër Italisë. Filluan të prisnin dhe të mbroheshin thellë. Por ky është një ekip që nuk mund ta bëjë këtë. Dhe po, kjo më zhgënjeu.

Sylvinho? Ai bëri një punë vërtet të mirë në kualifikime, në pak kohë për të punuar vërtet me këtë ekip. Edhe pse i mungon ende përvoja në një turne si ky, prisja pak më shumë prej tij.

Kjo do të thotë më shumë personalitet. Duhet të fitojmë shumë përvojë në këtë turne, por duhet të luajmë edhe me personalitet. Skuadra jonë nuk ka asgjë për të humbur! Ata u vunë në short kundër tre skuadrave që janë jo vetëm favoritë për të fituar grupin, por edhe pretendentët për titull. Italia, Kroacia, Spanja për mua ato janë në të njëjtin nivel me Gjermaninë. Wirtz dhe Musiala janë thjesht të mrekullueshëm dhe Fullkrug! Mund të thuash se ata me të vërtetë kënaqen duke luajtur futboll.

Ne kemi pritur shumë për këtë moment, kjo është e vërtetë. Jemi në rrugën e duhur dhe sigurisht që duam të fitojmë përvojë në këtë Europian. Por nëse duam të mbijetojmë, duhet të përmirësohemi shumë kundër skuadrave si Italia.

Sipas mendimit tim, Kroacia kishte vetëm një ditë të keqe. Spanja është një skuadër me shumë eksperiencë në turne të tillë, me lojtarë cilësorë, me të cilët do të futet në top 4. Pres një lojë fizike kundër Kroacisë. Skuadra jonë duhet të përmirësohet në mbrojtje. Mbi të gjitha, përpara, të gjithë duhet të sakrifikojnë veten për ekipin në punën mbrojtëse, deri në rraskapitje. Kur dikush është i lodhur, duhet t’i lërë vend dikujt të ri.

Unë kam vetëm një kërkesë. Skuadra jonë duhet të tregojë uri dhe gatishmërinë për të ‘vdekur’ në fushë për fanellën.

Sylvinho në Tiranë? Ky ishte vendimi i duhur dhe i zgjuar. Sylvinho ka jetuar në Europë për një kohë shumë të gjatë, por ai nuk e njihte futbollin shqiptar kur nënshkroi ishte një vendim i menjëhershëm. Paraardhësit e tij Eduardo Reja dhe Xhani De Biasi kaluan shumë kohë në Tiranë, por nuk u vendosën atje. Edhe pse jeta në Shqipëri është më e mirë se në shumë vende të tjera, përfshirë qytetet gjermane. Është një vend ëndrrash: det, ushqim, mikpritje. Kushdo që ka qenë një herë atje kthehet gjithmonë. Nuk ka nevojë që të bëhesh shtetas si Sylvinho, i cili tani ka pasaportë shqiptare.

Kemi gjenerata të reja me shumë talent. Tre-katër breza që shkuan jashtë dhe u rritën atje, në Gjermani, Zvicër, Itali, Greqi, në të gjithë Evropën! Ata nuk kanë zgjidhje tjetër. Kampionati i Shqipërisë është ende një nga më të këqijtë në Europë. Ka ende shumë punë për të bërë, edhe pse qeveria shqiptare po bën shumë dhe po përpiqet të ndërtojë stadiume të reja kudo dhe të përmirësojë infrastrukturën. Cilësia e futbollit ekziston atje. Dhe për më tepër Shqipëria është një vend i çmendur pas futbollit.

Shqiptarët në Dortmund? E pabesueshme. E pabesueshme, e pabesueshme. E pabesueshme. Dhe kështu do të qëndrojë. Të mërkurën edhe stadiumi i Hamburgut për ndeshjen kundër Kroacisë do të mbushet me 40 mijë shqiptarë. Ata janë fanatikë, në një kuptim pozitiv. Pra, nuk do të jetë mungesë mbështetjeje”, u shpreh Tare për “Süddeutsche Zeitung”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA