Rrëzimi i dy avionëve dhe incidentet gjatë fluturimeve, Kongresi amerikan rrit trysninë për sigurinë ndaj kompanisë Boeing

18/06/2024 21:37

Senatorët amerikanë filluan të martën t’i drejtojnë pyetje drejtorit ekzekutiv të kompanisë Boeing rreth planeve për të ndrequr problemet në linjat e prodhimit të avionëve.

Të pranishëm gjatë seancës me pyetje-përgjigje janë edhe të afërmit e personave që vdiqën nga rrëzimi i dy avionëve Boeing 737 Max.

Drejtori ekzekutiv David Calhoun u paraqit përpara nënkomisionit të përhershëm hetimor të Senatit, që drejtohet nga senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili ka qenë kritik ndaj kompanisë Boeing.

Kjo është hera e parë që një drejtues i lartë i kompanisë Boeing paraqitet në Kongresin amerikan, që nga periudha pasi një panel u shkëput në janar gjatë fluturimit të një avioni 737 Max të linjës ajrore Alaska Airlines.

Gjatë këtij incidenti nuk pati të lënduar, por ai shkaktoi shqetësime të reja për avionin më të shitur të kësaj kompanie.

Disa orë përpara paraqitjes së zotit Calhoun, nënkomisioni i Senatit publikoi një raport prej 204 faqesh me akuza të reja nga një sinjalizues sipas të cilit në avionët 737 Max mund të jenë duke u montuar pjesë difektoze apo pa dokumentacionin e duhur.

Sam Mohawk, hetues për cilësinë në fabrikën e prodhimit të avionëve 737 në Seattle, pretendon se kompania Boeing fshehu evidencën për situatën pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e informoi kompaninë rreth një vit më parë se do të inspektonte këtë fabrikë.

“Pasi kompania Boeing mori njoftimin, urdhëroi që shumica e këtyre pjesëve që mbaheshin në mjedis të hapur, të dërgoheshin në një tjetër vendndodhje”, citohet në raport të ketë thënë zoti Mohawk. “Rreth 80% e pjesëve u zhvendosën për t’iu shmangur syve vigjilentë të inspektorëve të FAA-së”.

Më pas këto pjesë u rikthyen, ose u humbën, tha zoti Mohawk. Ndër to ishin pjesë jetike për mbajtjen e avionëve nën kontroll, si pjesë të krahëve, të bishtit dhe të timonit.

Një zëdhënës i kompanisë Boeing tha se e morën raportin e nënkomisionit në orët e vona të së hënës dhe se po shqyrtonin pretendimet. “I inkurajojmë vazhdimisht punonjësit të raportojnë të gjitha shqetësimet, pasi prioriteti ynë është të garantojmë sigurinë e avionëve tanë dhe të pasagjerëve”.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se “do të hetojë me rigorozitet” pretendimet që pasqyrohen në raportin e Senatit.

Nënkomisioni i Senatit tha se dokumentet e reja të zbuluara dhe rrëfimet e sinjalizuesve “paraqesin një pamje shqetësuese të një kompanie që i jep përparësi shpejtësisë së prodhimit dhe uljes së kostove, përmbi cilësinë dhe sigurinë e avionëve”.

Avionët e tipit 737 Max kanë një historik të trazuar. Departamenti i Drejtësisë po shqyrton nëse duhet të ngrejë padi ndaj kompanisë Boeing për shkelje të kushteve të një marrëveshjeje të arritur me kompaninë në lidhje me akuzat se pati mashtruar agjencitë rregullatore që dhanë miratimin për këtë tip avioni. Avionë Max u rrëzuan në vitin 2018 në Indonezi dhe në vitin 2019 në Etiopi, duke vrarë 346 persona. Pas këtyre tragjedive, FAA-ja nuk lejoi fluturimin e asnjë avioni të këtij tipi për gati një vit e gjysëm.

Sipas zotit Mohawk, përdorimi i këtyre pjesëve të papranueshme u shumëfishua pasi rifilloi prodhimi i avionëve Max, kur përfundoi periudha e ndalimit. Nga kjo rritje e madhe, drejtuesit kishin dhënë udhëzime që të fshiheshin të gjitha të dhënat që mund të tregonin se pjesë të papërshtatshme ishin montuar në avionë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA