Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë sot më 18 qershor në Prishtinë, nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021. Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli. Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës. Nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova shënoi edhe rritje të shkëmbimeve tregtare.

Në vitin 2022, vlera e importeve nga ky shtet arriti në 42 milionë euro – prej 22 milionë sa ishte në vitin 2020 kur dy vendet nuk kishin lidhje diplomatike.

Në mënyrë të ngjashme ndodhi edhe me eksportet, nga 85.000 euro në vitin 2020 – ato u rritën në 783.000 euro më 2022, sipas të Dhënave të Doganave të Kosovës. Kosova importon nga Izraeli kryesisht lëndë djegëse dhe produkte të plastikës, ndërsa eksporton kryesisht produkte të tekstilit.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen, në Evropë.

Ndërkaq, më 5 janar u bë e ditur se ata mund ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Aktualisht janë 107 shtete që vazhdojnë të kërkojnë viza për vizita nga Kosova, ndërsa 39 vende mundësojnë viza në mbërritje për qytetarët e Kosovës./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA