Ndryshimet e Tokës/ Bërthama rrotullohet më ngadalë, ndryshon gjatësinë e ditës me… 1 sekondë

17/06/2024 21:56

Bërthama e brendshme e Tokës po rrotullohet më ngadalë. Ky është rezultati i një studimi të Universitetit të Kalifornisë Jugore të botuar në revistën “Nature”.

Të dhënat e reja i japin fund debatit 20 vjeçar mbi këtë çështje, duke treguar se shpejtësia e rrotullimit filloi të ulet duke filluar nga viti 2010, duke e bërë bërthamën më të ngadaltë se sipërfaqja e Tokës.

Po nga se përbëhet bërthama e brendshme e Tokës? Ajo është një sferë e ngurtë e përbërë pothuajse ekskluzivisht nga hekuri, e rrethuar nga një bërthamë e jashtme e lëngshme e bërë prej hekuri dhe nikeli. Pak a shumë llogaritet të jetë sa madhësia e Hënës.

Pjesa më e brendshme ndodhet në një thellësi mbi 4800 kilometra dhe për këtë arsye nuk mund të studiohet drejtpërdrejt. Prandaj, për të mbledhur informacion mbi përbërjen dhe lëvizjet e saj, studiuesit duhet të shfrytëzojnë valët sizmike të krijuara gjatë tërmeteve dhe ngjarjeve të tjera të ngjashme.

Autorët e studimit përdorën informacione nga 121 tërmete që u përsëritën në disa ishuj në Oqeanin Atlantik, midis viteve 1991 dhe 2023, si dhe informacione të marra falë testeve bërthamore sovjetike, franceze dhe amerikane të kryera gjatë viteve shtatëdhjetë.

“Kur pashë për herë të parë se sizmogramet sugjeronin një ngadalësim, u hutova,” komenton Xhon Vidal, i cili koordinoi studimin. “Por kur vëzhgimet e tjera sinjalizuan gjithashtu të njëjtin model, përfundimi ishte i pashmangshëm: bërthama u ngadalësua për herë të parë pas shumë dekadash,” shton ai.

Sipas studiuesve, ky ndryshim në rrotullim mund të jetë për shkak të përzierjes së bërthamës së jashtme dhe tërheqjes gravitacionale që krijohet me mantelin shkëmbor. Studimi arrin në konkluzionin se ky ngadalësim mund të ndryshojë gjatësinë e ditës me një fraksion të sekondës, një ndryshim pafundësisht i vogël që do të ishte i vështirë të vihej re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA