Përgjatë rrjedhës së Vjosës numri i vizitorëve është gati i dyfishuar në raport me një vit më parë. Statusi i parkut kombëtar ka ngjallur interes të veçantë mes atyre që realizojnë ture studimore, ekspertëve të natyrës, fotografëve, studentëve të fushave të ndryshme dhe sigurisht udhëtarëve të aventurës.
Ata po eksplorojnë mundësitë e shumta për aktivitete të ujit dhe të tokës pranë brigjeve të lumit Vjosa në të gjithë gjatësinë e tij.
Një grup të rinjsh çekë kanë vendosur të eksplorojnë të gjitha mundësitë që Vjosa të ofron për aktivitete kështu që ata hynë në Shqipëri nga pikëkalimi i Tre Urave, eksploruan kanionet dhe lumin e Langaricës, ujërat termale të Bënjës dhe provuan aktivitete të ujit disa km para se Vjosa të përshkojë Përmetin. Ata gjithashtu shijuan ushqime që zona e buzë Vjosës ofron duke integruar edhe traditën gastronomike e blegtorale të maleve e që rrethojnë.
“Po pas këtyre 30 minutave të para mendoj se ishte shumë bukur. Lumi është i qetë sot por prapë eksperienca ishte shumë zbavitëse. Në terësi eksperinca është shumë pozitive po të konsiderosh edhe atë që të ofron natyra përreth. Kjo është hera ime e parë në Vjosë por e disata në Shqipëri.”
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri dhe në Vjosë dhe thjesht e dashuroj këtë vend. Do të rikthehesha me kënaqësi.”
“Më pëlqen rrjedha e lumit, shkëmbinjtë, malet, thyerja e terrenit dhe e kemi zgjedhur për shkak se është ende e egër.”
Elidjona që administron një kamping të vogël familjar pranë lumit tregon se turizmi është duke u rritur vit pas viti. Më shumë zona të pa eksploruara më parë po zbulohen në këmbë, me mjete jashtë rruge, biçikleta, kuaj, dhe përmes aktiviteteve të ujit.
” Kërkesat janë më të larta çdo vit. Në kemi shumë për të ofruar, kemi lumin, kemi malin, kemi ujërat termale, kemi pyje, jemi me fat. Shpresoj që e ardhmja do të jetë më e bukur seç është e do të ketë më shumë kërkesa sepse Shqipëria është në fillimet e saj me këtë lloj turizmi.”
Francezët ishin të parët që mbërritën për turizëm këtë vit dhe në të gjithë territorin e parkut kombëtar ata mbanin peshën kryesore. Urimi shef kuzhine prej dekadash në Përmet tregon se vizitorët janë shumë më cilësorë. Ata nuk mjaftohen vetëm me vaktin e të ngrënit. Duan të kuptojnë traditën, përbërësit dhe duan garanci që po konsumojnë diçka tërësisht lokale.
“Më shumë në qytet kemi parë turistët francezë të cilët interesohen edhe për kulinarinë e zonës tonë. Kemi raste kur turistët hyjnë në kuzhinë për të parë lëndën e parë që marrim dhe jemi përpjekur që të ruajmë ushqimin tradicional. Kemi supën me lëpjetë mali, slacën e shakullit për të cilën duan edhe shpjegime. Preferoj t’ju tregoj se produkti ka qenë në zhdukje dhe kanë shumë interes”
Që prej Majit klientët dominantë të luginës së Vjosës janë ata të Europës Perëndimore por dhe grupet tipike nga vendet e njohura të aventurës përfshi Çekinë dhe Poloninë. Ofruesit e shërbimeve megjithatë si edhe vjet do të vijojnë të sfidohen nga mungesa e krahut të punës dhe kapacitetet e pamjaftueshme akomoduese dhe shërbimet alternative në të gjithë territorin e parkut.
Top Channel