Në episodin e 21-të të Sezonit të 3-të të Podcast-it “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar ish-ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, Takada Mitsuyuki.
“Nga japonez në katnar Tirone”, u shpreh Rama teksa tregoi se ish-ambasadori pas përfundimit të mandatit të tij u rikthye për të jetuar në Tiranë me bashkëshorten dhe ndërvepron me sipërmarrjet shqiptare për t’i ndihmuar të lidhen me tregun japonez.
Ambasadori rrëfeu se kur u emërua për të përfaqësuar Japoninë në vendin tonë, nuk e njihte Shqipërinë dhe se ishte përpjekur të mblidhte informacion në internet apo bibliotekë, por në fund ndoqi këshillën e ambasadorit japonez në Tiranë që po linte detyrën, që të mos kërkonte rreth Shqipërisë, të mos shqetësohej për gjë, por të vinte dhe ta njihte vetë, çdo ditë, nga pak.
“Paraardhësi im me telefonoi dhe më tha: nuk duhet të dini asgjë, mos u shqetësoni për asgjë. U besova fjalëve të tij. Përshtypja e parë ishte: Shqipëria dukej si Japonia e 30-40 viteve më parë. Njerëzit ishin shumë miqësorë, mikpritës dhe shumë të sjellshëm. Me jepnin këshilla mjaft të mira. Konstatova pak ndryshim me kulturën e vendit tim. Japonezët planifikojnë çdo gjë, por pashë që shqiptarët kishin vlera, familjen, miqtë dhe e shijojnë shumë mirë jetën e tyre”, tha ish-ambasadori i Japonisë.
Më tej, i pyetur rreth asaj që ndan me kolegët e tjerë ambasadorë në vendin tonë, iu referua Shqipërisë si një ndër vendet më të sigurta në Europë.
“Më ka befasuar. Nga vendet europiane, Shqipëria është vendi më i sigurt dhe ambasadorët e tjerë më shprehën të njëjtin mendim. Shqipëria vendi më i sigurt në Europë”, u shpreh ai.
Po ashtu, Takada Mitsuyuki ka një këshillë për sipërmarrjen, për të mbajtur të rinjtë shqiptarë në vend, ndërsa premton se do të angazhohet për të krijuar ura lidhëse mes Japonisë e Shqipërisë.
“Ato duhet të krijojnë vende pune të reja ku të paguajnë rroga më të larta. Nuk e di sa mund të kontribuoj në këtë drejtim. Ideja bazë është të gjej mundësi bashkëpunimi të përbashkëta mes sipërmarrjeve të dy vendeve, një mënyrë që sipërmarrja të paguajë paga më të mira që të mbajmë të rinjtë shqiptarë këtu”, tha Takada Mitsuyuki.
Top Channel