Zaniolo drejt rikthimit në Itali, arrin marrëveshjen me klubin zikaltër

14/06/2024 08:43

Nicolo Zaniolo drejt rikthimit në Serinë A. Fantazisti italian, i cili mbylli sezonin te anglezët e Aston Villës, është rikthyer te Galatasaray, klub që zotëron kartonin e tij prej shkurtit të 2023-shit, por jo për të qëndruar gjatë në Turqi.

Për Zaniolon interesohen disa klube në Itali, teksa së fundi është Atalanta ajo që ka bërë hapa përpara, duke gjetur një akord paraprak me futbollistin dhe tashmë i mbetet të negociojë me klubin turk.

Media italiane bën me dije se çmimi që Galatasaray ka vendosur për 24-vjeçarin, është 15 milionë euro, shifër kjo lehtësisht e përballueshme nga Atalanta, që pritet të shesë për 4 herë më shumë holandezin Teun Koopmeiners.

Vetë Zaniolo e pret me padurim rikthimin në Serinë A, aty ku ka bërë edhe sezonet më të mira me fanellën e Romës, teksa Atalanta duket klubi perfekt për të, pasi trajneri Gasperini i jep jo pak prioritet ringritjes në nivelet më të larta të futbollistëve të rinj./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA