Shqipëria ka përfunduar paketën e nevojshme ligjore për tu bërë pjesë e sistemit evropian të pagesave.
Guvernatori i bankës së Shqipërisë ka firmosur aplikimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian të Pagesave si i pari vend i Ballkanit Perëndimor që do të bëhet pjesë e sistemit, ku bëjnë pjesë edhe 36 shtete të tjera. Në rast se aplikimi përfundon me sukses individët dhe bizneset do kenë mundësi të kryejnë pagesa në kohë reale në vendet evropiane, ndërsa përfitime ka edhe për turistët që shpenzojnë në vendin tonë.
“Nëpërmjet pjesëmarrjes në SEPA, bizneset dhe qytetarët e vendeve të BE kryejnë transferta me kosto më të ulët dhe shpejtësi më të madhe. Ne e kemi nisur punën që në vitin 2021 për tu bërë pjesë e projektit por në vitin 2023 BE shpalli planin e ri të rritjes dhe projekti SEPA ishte një nga prioritet kombëtare dhe banka e Shqipërisë ka koordinuar me institucionet evropiane për tu bërë pjesë e SEPA. Përfundimisht ne dje kemi dorëzuar aplikimin në Komisionin Evropian.”
Me përfundimin me sukses të aplikimit vlerësuar edhe nga Banka Botërore, do të pritet edhe përgjigja e institucioneve evropiane
“Pas aplikimit ne do të komunikojmë ngushtë me këshillin evropian të pagesave nëse do të ketë kërkesa të detajuara dhe teknike, por siç thashë paketa ligjore është plotësuar dhe dorëzuar dh jemi në pritje të detajeve për tu plotësuar. Besoj se Shqipëria duke qenë vend i parë që e ka dorëzuar aplikimin do të ketë sukses në këtë aplikim dhe ne shumë shpejt do të jemi anëtarë.”
BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 2/3 e tregtisë kryhen me këto vende, ndaj përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare.
Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive. Formalizim të mëtejshëm pritet të ketë edhe paratë e dërguara nga diaspora shqiptare të klasifikuara si remitanca.
Top Channel