Biden dhe Zelensky do nënshkruajnë një marrëveshje të re sigurie SHBA-Ukrainë

13/06/2024 07:25

Presidenti Joe Biden dhe presidenti Volodymyr Zelensky do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe sigurie mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të enjten, kur të takohen në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Grupit të Shtatëshes në Itali.

Kjo synon t’i dërgojë një sinjal të qartë Rusisë për vendosmërinë amerikane në mbështetje të Kievit, u shpreh Shtëpia e Bardhë ndërsa presidenti Biden po udhëtonte drejt Evropës.

Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan tha se marrëveshja nuk do të angazhojë drejtpërsëdrejti forca amerikane përballë sulmit të Rusisë – një vijë e kuqe kjo e përcaktuar nga presidenti Biden, i cili nuk dëshiron tërheqjen në një konflikt të drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore. Njoftimi për këtë marrëveshje të re u bë ndërsa presidenti Biden shkon për në takimin e nivelit të lartë të vendeve më të mëdha demokratike të botës, me një ndjesi të shtuar urgjence për të arritur rezultate, përfshirë shfrytëzimin e pasurive të ngrira ruse prej miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e makinerisë ruse të luftës.

“Duam të demonstrojmë se Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e Ukrainës, se u qëndrojmë përkrah dhe se do të vazhdojmë t’i ndihmojmë për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë”, tha zoti Sullivan, duke shtuar se “kjo marrëveshje do të tregojë vendosmërinë tonë”.

Zoti Sullivan informoi se marrëveshja e re ka marrë tashmë miratimin e 15 vendeve të tjera. “Nëse Vladimir Putini mendon se mund të mbizotërojë përballë koalicionit që mbështet Ukrainën, ai gabohet”, tha zoti Sullivan.

Takimi i këtij viti vjen tre vite pasi presidenti Biden deklaroi në takimin e tij të parë të G7-ës se Amerika ishte rikthyer si një vend udhëheqës në botë, pas problemeve në të cilat hasën aleancat perëndimore gjatë periudhës kur ishte president Donald Trump-i. Në varësi të rezultateve të zgjedhjeve të këtij viti, ekziston mundësia që ky mund të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë i G7-ës për presidentin Biden dhe udhëheqës të tjerë që marrin pjesë.

Presidenti Biden dhe homologët e tij nga Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia do ta shfrytëzojnë këtë takim të nivelit të lartë për të diskutuar ndër të tjera për sfida si inteligjenca artificiale, emigracioni, rigjallërimi ushtarak i Rusisë dhe fuqia ekonomike e Kinës. Papa Françesku, presidenti ukrainas Zelensky dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të marrin gjithashtu pjesë në takimin në Borgo Egnazia, në rajonin jugor italian Puglia.

Presidenti Biden mbërriti në Itali në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës. Takimi i nivelit të lartë fillon të enjten ndërsa në mbarë Evropën partitë e së djathtës së skajshme fituan në mënyrë befasuese terren në zgjedhjet e sapopërfunduara për Bashkimin Evropian. Këto fitore, të gërshetuara me zgjedhjet e ardhshme në Britani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë tronditur sistemin politik global dhe i kanë dhënë rrjedhimisht më shumë peshë takimit të këtij viti të G7-ës. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA