Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin e promovimit të kalendarit turistik veror.
Rama i cili tha se teknologjia do të vijojë ta pasurojë më tej këtë mënyrë promovimi të turizmit, me opsione të reja, në mënyrë që turistët të kenë një përvojë sa më të plotë të vizitës së tyre në vendin tonë.
“Vitin 2030, e shohim si një pikë, ku jo vetëm transformimi deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm, po ku Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit”, u shpreh kryeministri Rama në fjalën e tij.
Rama: Monumentet historike dhe sitet arkeologjike të vendit tonë, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti kanë tërhequr 182 mijë vizitorë. Ndërkohë që parqet tona kombëtare dhe natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë. Këto janë shifra marramendëse po të kemi parasysh se nga jemi nisur, por se nga jemi nisur është gjithmonë e më pak e rëndësishëm për ne, ndërkohë që gjithmonë e më shumë e rëndësishme për ne, është se ku duam të shkojmë dhe për këtë kemi fiksuar edhe majën e vitit 2030 si një pikë ku jo vetëm transformimi i deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm, po ku Shqipëria pa asnjë dyshim, do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit.
Ju sot u njohët me versionin e ri të aplikacionit, i cili është një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit dhe që do të vazhdojë të përmirësohet apo të pasurohet më saktë më tutje edhe me një gjenerator të inteligjencës artificiale, i cili do t’i bëjë të mundur të gjithë turistëve dhe vizitorëve, që të bëjnë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit dhe po ashtu që të kenë në dispozicion harta 3D dhe opsione të reja për të pasur një përvojë sa më të plotë të vizitës së tyre në vendin tonë, por nuk është vetëm ky aspekt sepse ajo që është e rëndësishme të theksohet është se aplikacioni në fund të fundit, është një pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet dhe në realitetin e zhvillimit të turizmit, ne kemi përfshirë një komponent që çdo vit bëhet më i pranishëm, që është komponenti i aktivitetit të përditshëm kulturor dhe artistik, si një hapësirë që i ofron turistëve dhe vizitorëve mundësi përtej plazhit, diellit, rërës, ushqimit, hotelit dhe që u ofron po ashtu edhe mundësinë e marrjes me vete nga Shqipëria, jo vetëm të një shije të mirë lidhur me këto që thashë, por edhe të një dijeje më shumë mbi vendin tonë, për të pasur shumë më tepër për të mbajtur mend nga vendi ynë dhe për të pasur shumë më tepër për të folur për vendin tonë.
Nuk diskutohet që ky aspekt nxit dhe mbështet edhe skenën tonë të krijimtarisë kulturore dhe artistike, ashtu sikundër patjetër, motivon më shumë ata që janë të angazhuar drejtpërdrejtë në këtë industri të re të Shqipërisë, që investojnë dhe që punojnë me shumë pasion edhe me shumë mund për ta ngritur më tej sektorin.
E më tutje akoma, ne jemi shumë të vetëdijshëm që ajo që duhet është më shumë se sa ajo që është bërë, në sensin që Shqipëria e 2030 duhet të jetë një vend dhe do të jetë një vend, jo vetëm një vend kampion, pa diskutim, i këtij rajoni në turizëm, që jo vetëm do të jetë stabilizuar përgjithnjë në ‘’Champions League” të Mesdheut, por që do të ketë të plotësuara të gjithë ato pjesë të mozaikut që sot ende mungojnë, duke u nisur nga infrastruktura për të cilën ne po bëjmë një punë shumë intensive.
Top Channel