Protesta para senatit në Buenos Aires ku diskutohen reformat e ‘shtrëngimit ekonomik’ të Milei (fotot)

12/06/2024 19:32

Senati argjentinas nisi sot të diskutonte paketën e ligjeve të reformës ekonomike të presidentit të ri Javier Milei, teksa jashtë ndërtesës sindikatat kishin organizuar një protestë masive kundër shkurtimit të mbështetjes ndaj punëtorëve e fshatarëve dhe kursimeve që kërkon qeveria e re duke varfëruar vendasit.

“Përpjekja e argjentinasve këta muaj është gjigante dhe ne shpresojmë që ligjet e reja të vendosin themelet për progresin,” tha senatori Bartolomé Abdala, i partisë në pushtet ‘La Libertad Avanza’, në mbrojtje të projektit.

Por nuk duket se ky është opinioni masave në Argjentinë që protestojnë prej muajsh kundër ligjeve të propozuara në një kohë recesioni ekonomik dhe të prishjes së aktivitetit industrial e konsumit.

Ligjet e reja kërkojnë reduktim të pensioneve e rrogave në një kohë kur gjysma e vendit jeton në varfëri, shkruan rrjeti AFP.

Milei justifikohet duke thene se propozimet e tij janë quajtur ‘të kënaqshme’ nga huadhënësit e FMN dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë prandaj duhet të kalohen nga parlamenti vendas.

Mes të tjerave projekti kalon pushtet nga parlamenti te presidenti dhe jep lehtësira masive fiskale për investimet e huaja afatgjata, duke bërë kompanitë vendase objekt i privatizimeve të përshpejtuara.

Opinioni publik është shprehur shpesh me protesta kundër legjislacionit sindikatat kanë thënë se do të vijojnë të refuzojnë ndryshimet e qeverisë së re të djathtë të ardhur në pushtet në fillim të vitit.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA