‘Projekti 2025’/ Publikohet lista e politikave të dëshiruara të presidencës Trump (fotot)

12/06/2024 15:42

Demokratët e Joe Biden raportohet se po mobilizohen kundër axhendës së mundshme të qeverisjes së Donald Trump nëse ai zgjidhet në zgjedhjet e nëntorit, shkruan rrjeti shtetëror britanik BBC.

Lufta e propagandës ka nisur tashmë mes dy kampeve politike me akuza njollosjeje apo ‘planesh anti-demokratike’, për të minuar suksesin e kundërshtarëve në zgjedhje.

Plani i njohur tashmë në mediat liberale si ‘Project 2025’ është hartuar nga analistët konservatorë të ‘Heritage Foundation’, si një nga propozimet për platformën e administratës të mundshme Trump.

Me më shumë se 900 faqe, në të bëhet thirrje për zgjerimin e pushteteve të presidentit të SHBA, shkarkimin e qindra punonjësve të administratës, të ministrisë së arsimit dhe disa agjencive të tjera federale, si dhe reduktime taksore.

Heritage Foundation zbuloi axhendën në prill të vitit të shkuar dhe tashmë opozita liberale po angazhohet kundër saj, teksa sondazhet e opinionit tregojnë për garë të fortë mes demokratit Biden, dhe ish-presidentit republikan Trump.

Normalisht analistët e Washington DC propozojnë listat e politikave të mundshëm të qeverive në pritje, siç ndodhi me grupin liberal ‘Center for American Progress’, që gjatë presidencës së Barack Obama ishte njohur si “fabrika e ideve”.

Por kësaj radhe, kongresmeni i Kalifornisë, Jared Huffman njoftoi krijimin e një taks-force për ndalimin e Project 2025.

Huffman tha: “Project 2025 është më shumë se një ide, është një komplot i mbrapshtë që kërkon të çmontojë institucionet demokratike, të heqë kontrollet e balancat dhe ndarjen e kishës nga shteti, të imponojë axhendën e të djathtës radikale që shkel të drjetat dhe vullnetin publik”.

Por agjencia Heritage tha se partia e Biden po vepronte me taktikat e zakonshme të mbjelljes së frikës te publiku me një “njoftim jo-serioz e të mbushur me gabime”.

“Demokratët e Kongresit kanë nisur fushatën e njollosjes kundër përpjekjeve publike për të rikthyer vetë-qeverisjen te amerikanët e përditshëm”, tha Kevin Roberts, president i fondacionit.

Ai shtonte: “Me administratën Biden qeveria federale është kthyer në një armë kundër qytetarëve amerikanë, kufijtë e vendit po dhunohen dhe institucionet janë kapur nga politikat liberale ‘woke’”.

Dokument Project 2025 mbështetet në katër shtylla bazë: rivendoja e Familjes si epiqendra e jetës amerkane, çmontimi i shtetit administrativ, mbrojtja e sovranitetit të vendit dhe sigurimi i të drejtave individuale të dhëna nga Zoti, për të jetuar i lirë, shkruan BBC.

Heritage thotë se Project 2025 është shkruar nga disa të emëruar të Trump dhe idetë e saj reflektojnë ato të rreth 100 grupeve konservatore në SHBA.

Disa nga propozimet kryesore raportohen se janë:

Qeveria

Project 2025 propozon që e gjithë burokracia federale përfshi dhe departamente si ai i drejtësisë, të vendosen nën kontrollin presidencial, ide e njohur si ‘teoria e ekzekutivit unitar”.

Praktika besohet se thjeshton vendim-marrjen duke i lejuar presidentit të zbatojë drejtpërdrejt vendimet e tij në disa fusha.

Por ajo thuhet se eliminon mbrojtjen e vendeve të punës, të cilat zëvendësohen nga të emëruarit politikë.

FBI etiketohet në dokument si një organizatë “e korruptuar, arrogante, dhe e parregullt” duke bërë thirrje për ndryshime thelbësore në të dhe agjenci si Ministria e arsimit.

Emigracioni

Në dokument propozohet shtimi i fondeve për murin e kufirit me Meksikën, një nga propozimet e para të Trump në 2016.

Të tjera propozime përfshijnë rritjen e pagesave për  emigrantët dhe përshpejtimin e procedurave për ata që paguajnë më shumë.

Ekonomia e klima

Dokumenti propozon shkurtimin e fondeve për iniciativat e ‘energjisë së rinovueshme’ dhe bën thirrje që presidenti të ndalojë ‘luftën’ që i është hapur naftës e gazit.

Objektivat e rritjes së prodhimit dhe sigurisë së energjisë do të zëvendësojnë ato ambjentit e të ‘reduktimit të karbonit’.

Ekonomistët sugjerojnë se administrata e dytë Trump do të reduktojë taksat e korporatave dhe ato ndaj të ardhurave, do të anulojë bankën qendrore ‘Federal Reserve’ për t’u rikthyer te paraja e mbështetur nga floriri, përkundër asaj të printuar sipas nevojës.

Aborti

Project 2025 nuk bën thirrje për ndalim të abortit, por kërkon heqjen nga tregu të tabletës së abortit ‘mifepriston’.

Arsimi e teknologjia

Propozimet kërkojnë ndalimin e pornografisë së lirë, dhe masa kundër kompanive të telekomunikacioneve që lehtësojnë diçka të tillë.

Dokumenti premton zgjedhje të lirë të shkollave dhe kontroll prindëror mbi to, për të eliminuar pasojat e propagandës liberale “woke” të administratës aktuale.

Në këtë kuadër propozon eliminimin e një liste nenesh ligjore si ato të “orientimit seksual për fëmijët”, “diversitetin, përfshjiren”, “barazinë gjinore”, “abortin” e “të drejtat e riprodhimit”.

Që prej viteve 1980-të, grupi Heritage ka prodhuar dokumente të ngjashme si pjesë e serisë së tij për ‘Mandatin e Lidershipit”.

Project 2025, me një buxhet prej $22 milionë parashikon gjithashtu zbatimin e këtyre politikave menjëherë pas inaugurimit presidencial në janar 2025.

Trump ka dhënë mbështetjen e tij për ‘Project 2025’ në fjalime e në faqen e tij të internetit, edhe pse shumë propozime prittë të përballen me sfida ligjore nëse shpallen publike, shkruan rrjeti britanik BBC.

FOTO GALERI
3/4
Propozimet kërkojnë ndalimin e pornografisë së lirë, dhe masa kundër kompanive të telekomunikacioneve që lehtësojnë diçka të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA