Nga akset rrugore, tek aeroportet dhe portet, kryeministri Edi Rama renditi veprat infrastrukturore që do të ndihmojnë zhvillimin e vendit.
Mes tyre, tuneli i Llogorasë pritet të lehtësojë dhe shkurtojë udhëtimin drejt jugut të vendit, sidomos gjatë sezonit turistik.
Rama: Ju besoj jeni të informuar që kemi një sezon të ri që hapet me disa vepra të mëdha të infrastrukturës që i vihen në dispozicion vizitorëve, i vihen në dispozicion udhëtarëve dhe turistëve duke filluar nga tuneli i Llogarasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forcave politike në të gjitha fushatat, i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug apo që do të vijnë nga jugu.
Duke vazhduar me rrugën e re Orikum-Dukat, që zbulon një tjetër pjesë të panjohur të trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë, duke vazhduar me aksin Thumanë –Kashar, një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për vetë faktin që prurja e lartë e automjeteve nga veriu drejt Tiranës apo për më tutje në jug, në periudhën e sezonit intensiv turistik bëhet e papërballueshme. Vjet ka qenë realisht një torturë për udhëtarët, por njëkohësisht ky aks është pjesë e Korridorit Blu, që ishte një tjetër projekt apo ishte një tjetër ide shumë e përqeshur kur ne e prezantuam përpara sesa të vinim në qeveri dhe sot jo vetëm është një korridor i miratuar si pjesë e korridoreve të Bashkimit Europian, por është edhe një korridor që po ndërtohet.
Me aksin Thumanë – Kashar përfundon vetëm një nga segmentet e tij dhe ditët në vijim nis puna për segmente të tjera. Segmenti Kashar – Lekaj që do të bëjë të mundur një autostradë tërësisht të re për të lidhur Tiranën me Rrogozhinën, e pastaj Lekaj – Fier për të shkuar e lidhur me Vlorën, duke garantuar kushtet e një autostrade shpejtësie, në ndërkohë që rrugët ekzistuese do të jenë rrugë alternative. Si dhe segmenti më sipër, Thumanë – Milot për të përfunduar me hapjen e garës në fund të këtij muaji besoj, Milot – Balldrenin dhe pastaj Balldren – Murriqanin për të bërë lidhjen me Malin e Zi, por kjo është njëra anë.
Me këtë infrastrukturë, e cila do të jetë tërësisht e përfunduar brenda kësaj dekade, Shqipëria e 2030 do të ketë një ofertë turistike absolutisht spektakolare në aspektin e transportit për sa i përket të gjitha flukseve që shkojnë drejt bregdetit, Nuk po zgjatem me pjesët e tjera të infrastrukturës që lidhen me Korridorin 8, etj.
Ndërkohë që aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do të përfundojë punimet brenda këtij viti, do të ketë kalojë në periudhën e testit dhe të certifikimeve në gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe me ndihmën e Zotit do të jetë operacional në sezonin e ardhshëm turistik, me një operator që vetë emri i thotë të gjitha, është aeroporti i Mynihut. Ndërkohë do të hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës.
Nga të gjitha studimet e bëra si dhe nga gjithë mësimet e marra me përpjekjen për aeroportin e Sarandës kemi arritur në konkluzionin që vendi më ideal për të garantuar të gjitha nevojat që ka aviacioni për shkak të gjithë komponentëve që lidhen me të gjitha korridoret, me erërat etj, etj është Gjirokastra, ndërkohë që infrastruktura e re e ndërtuar lidhëse me Sarandën e bën atë aeroport, një aeroport brenda parametrave të kërkuar nga hotelet me 5 yje, pa llogaritur të gjithë të tjerët që është distanca më optimale 35-40 minuta.
Dhe në fund dua të shtoj edhe portet sepse jemi një vend që trashëguam një situatë prej vrime të Zëzë në Mesdhe dhe një vend që praktikisht nuk figuronte fare në hartën e lundrimit turistik të Mesdheut, siç e dini ka filluar puna për portin turistik të Durrësit, ka filluar puna për portin turistik të Vlorës, jemi në pritje të përfundimit të një absurdi lidhur me Limionin e Sarandës, një absurd i natyrës le të themi juridike, po në fakt s’është i tillë, është shumë pranë letërsisë surrealiste, sesa letërsisë juridike dhe jemi shumë optimistë që me hapjen e këtij komponenti të sektorit që janë portet turistikë, kuadri do të jetë, jo vetëm tërësisht i plotësuar, por njëkohësisht do të kemi një rritje shumë të ndjeshme, jo thjeshtë të numrit të vizitorëve sepse nuk është numri i vizitorëve ai që na intereson në mënyrë ekskluzive, po të ardhurat nga këta vizitorë.
Rritja e përmuajshme e numrit të kontratave për hotelet me 5 yje është po ashtu shumë domethënëse. Këtu janë disa nga aktorët kryesorë të sektorit dhe e dinë shumë mirë që deri përpara disa vitesh, 5 yjet nuk i afroheshin idesë se mund të vinin në Shqipëri. Ndërkohë që sot është bërë fare e thjeshtë për tii atraktuar, kuptohet me projektet dhe me destinacionet e nevojshme.
Thënë të gjitha këto, qershia mbi tortë është Tirana, e cila deri përpara disa vitesh ishte një kryeqytet që zbrazej tërësisht në verë ose më saktë që banohej vetëm nga ata që duhet të jenë këtu për të kryer shërbime të caktuara në punë të caktuara apo nga ata që e kanë të pamundur të largohen për pushime, ndërkohë që sot Tirana rritet në numër në sezonin e verës për shkak të rritjes së numrit të turistëve.
Nëse do të na e tregonin disa vite më parë publikimin e MasterCard-it përpara pak javëve, që është një publikim që lidhet me përdoruesit e MasterCard-it ku Tirana ishte vendi i tretë me rritjen më të lartë të numrit të turistëve për këtë vit në komunitetin e përdoruesve të MasterCard-it, ne do thoshim që kjo është një shaka shumë përqeshëse, por ja që edhe kjo sot është një realitet.
Janë të gjitha arsyet për t’u ndierë optimist, për t’u ndierë të inkurajuar, për t’u ndjerë të bindur që kjo Shqipëri që tek turizmi ka kartëvizitën e saj kuptimplotë, kjo Shqipëri ku falë turizmit dhe po ashtu edhe si rezultat i rritjes së ekonomisë dhe për këtë arsye i theksit që qeveria ka vënë tek rritja e pagave, po bëhet një vend ku për të gjithë ata që janë në shërbime në vendet fqinje është më mirë të jenë këtu, sesa të jenë atje dhe e them sot me plot gojën, që ata që punojnë në Greqi në hotele, në restorante, në kafene, kamerierë, menaxherë dhe çfarëdo shërbimi tjetër bëjnë atje, nëse i bien lapsit krahasuar me ofertën që kanë këtu në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediat, nuk lexojnë portalet, nuk marrin për të mirëqena të gjitha ato llafet e kafeneve, por i referohen lapsit e kanë këtu vendin, nuk e kanë atje, ku llogaria në fund të muajit iu del më mirë pa më të voglin diskutim.
E kuptoj shumë mirë pse disa nga protagonistët e sektorit tundin kokën për këtë sepse ata e dinë më mirë se të gjithë se janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese me Greqinë, paga pak a shumë të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen me këtë mur paragjykimi dhe me këtë pengese psikologjike për të kuptuar që sot Shqipëria është e gatshme, është e gatshme të përfshijë dhe të integrojë në tregun e punës në turizëm ata, të cilët atje kanë bërë eksperiencë, kanë mësuar të shërbejnë, kanë mësuar të punojnë në kuzhinë, kanë mësuar të punojnë në recepsion e kështu me radhë, duke i ofruar pa diskutim një mundësi shumë konkurruese sepse siç e kam përsëritur vazhdimisht, nuk është ndonjë shkencë është një logjikë e thjeshtë, tjetër gjë është paga shumë e sheh nga larg, tjetër gjë është kur e sheh me faturën e taksave dhe detyrimeve të tjera nga mbrapa.
E nëse sheh nga larg pagën e një kamerieri në Greqi dhe pagën e një kamerieri në Radhimë, duket sikur ai kamerieri në Greqi fiton më shumë, por nëse pastaj shikon që ai kamarieri në Radhimë mbasi mbaron punën shkon të shtëpia ku s’paguan qira, ndërsa ai kamerieri shqiptar në Greqi shkon te shtëpia ku paguan qira dhe pastaj mbasi shikon që në fund të muajit atij kamarierit në Radhimë i vjen një detyrim fiskal kaq, atij në Greqi i vjen kaq dhe mbasi shikon pastaj edhe të ardhurat nga bakshishet atëherë gjërat janë ndryshe.
Gjithçka është ndryshe dhe për këtë arsye bindja ime është që ndryshimi i madh që ndodh çdo ditë, do të jetë jashtëzakonisht i dukshëm, i prekshëm dhe i panevojshëm për t’u vënë më në diskutim për pak vite, kur ne të ngjitemi në atë majën e Shqipërisë 2030 dhe kur pa diskutim të jemi në kushtet që nuk do rrimë të presim sa turistë të tjerë më shumë do vijnë, por do jemi të kujdesshëm që të ruajmë balancën mes numrit dhe të ardhurave pa shkuar vetëm pas numrit, por duke shkuar në radhë të parë pas të ardhurave.
Top Channel