Kontrabandë e mallrave luksoze! SPAK dërgon për gjykim 12 të pandehur, mes tyre edhe ish-shoferi i Ardi Veliut

12/06/2024 10:42

12 persona të akuzuar për kondrabandimin e mallrave luksoze, që i vidhnin në Francë dhe i shisnin në Shqipëri, janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e cila mbylli hetimet për këtë dosje.

Agustin Mesuli dhe Altin Doda akuzohen për“Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,“Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”, “Kontrabanda me mallra të tjerë”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 174 dhe 28/4, të Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1, i Kodit Penal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

Florian Baku akuzohet për “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

Sokol, Elda dhe Egi Idrizaj, të akuzuar për “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Grupi i strukturuar kriminal”,  “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Dejvi Skënderaj akuzohet për “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,  “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”,  “Fshehja e të ardhurave”.

Bora Idrizaj akuzohet për “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Vangjush Kashara dhe Tomor Baruti akuzohen për “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”,  “Fshehja e të ardhurave”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi, i strukturuar kriminal”.

Gentian Aga dhe Alid Shehi akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, një strukturë kriminale ishte krijuar në rajonin e Lionit-Francë, e cila në bashkëpunim me një grup kriminal nga Shqipëria, koordinonte aktivitete të ndryshme të paligjshme, dhe fitimet e realizuara i dërgonte në Shqipëri. Veprimtaria kriminale e tyre kamuflohej pas aktivitetit të disa agjencive të udhëtimeve, me objekt veprimtarie në transportin e udhëtarëve dhe mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.

Grupet kriminale që kanë vepruar në kuadër të këtij aktivitetit të paligjshëm kriminal, si në territorin francez, ashtu dhe atë shqiptar janë dy.

Grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj.

Nga hetimet e kryera nga autoritetet franceze ka rezultuar e provuar se Sokol Briant, pas grumbullimit në mënyrë të vazhdueshme të sendeve të vjedhura (nga bashkëpunëtorët e tij), si dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale në Hotel d’Alsace (i cili menaxhohej po nga Sokoli), i’a dorëzonte të pandehurve Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, të cilët punonin si shoferë në itinerarin Shqipëri-Francë-Shqipëri, dhe merrnin përsipër transportin e tyre në mënyrë të fshehtë, kundrejt fitimit nga 3%-7%.

Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë. Blerje të cilat janë realizuar si me para në dorë, ashtu dhe nëpërmjet kartave bankare (të hapura në emrin e tyre si dhe të lidhjeve të tyre shoqërore).

Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti, të cilët kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”.

Drejtuesit e kompanive të transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, respektivisht të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, kanë marrë përsipër transportin e produkteve të veprës penale dhe dorëzimin e tyre të sigurt me garanci 100% në Shqipëri, duke patur mbështetjen e autoriteteve policore në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, e më konkretisht të pandehurve Gentian Aga dhe Alid Shehi, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar si krim nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjithsej, janë zbuluar 300 vjedhje në Francë, që i ka blerë Sokol Brianti, në ambientet e hotelit ku punonte në Lyon.

Gjatë kontrolleve në vendin tonë, janë sekuestruar 59.100 Euro; 10 000 USD kanadez; 57 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & 7Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice); 1 (një) aparat fotografik; 9 laptopë; 7 I-Pad; 3 tablet; 28 aparate celularë; 2 kompjutera; 33 copë bizhu dhe 2 monedha ari; 1 stilolaps Cartier; 2 Stilografë; sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme (DG; Louis Vuitton; Ray Ban; Giorgio Armani; Versace); sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi, Channel Blue, Armani “Si”, Louis Vuitton); karta të ndryshme bankare; veshje të markave të ndryshme (Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga); çanta apo këpucë të firmave prestigjoze.

Po ashtu, nga autoritetet franceze të drejtësisë janë proceduar 13 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA