Shkolla e Magjistraturës ka reaguar pas deklaratave në mbledhjen e KLP.
Shkolla e Magjistraturës i konsideron akuza të pavërteta dhe cenim i rëndë për veprimtarinë e tyre deklaratat e bëra gjatë mbledhjes.
Mbledhja nën drejtimin e kryetares së re Mirela Bogdani nisi me debate të forta mes anëtarëve.
Gjithçka nisi pasi Bogdani lexoi rendin e ditës, ku përfshihej verifikimi i pasurisë së disa kandidatëve të dalë fitues nga provimi i fundit i Magjistraturës, gati për t’u emëruar prokurorë.
Zv.kryetari i KLP-së, Bazaj tha se procedura e verifikimit duhet të shtyhet për shkak se në SPAK ka një kallëzim penal ndaj Shkollës së Magjistraturës dhe BKH-ja ka nisur hetimet. Por kundër kërkesës së tij doli fillimisht Arta Mandro e më pas shumica e anëtarëve të KLP-së, duke e rrëzuar kërkesën e tij.
“Shkolla e Magjistraturës shpreh shqetësimin se deklaratat dhe akuzat e pavërteta të bëra ne mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndaj procesit të rekrutimit të zhvilluar në muajin prill 2024, janë një cenim i rëndë për veprimtarinë e Shkollës se Magjistraturës, sulm ndaj pavarësisë së saj, një përpjekje për denigrim të autoritet të saj, për te shkaktuar pasojën e drejtpërdrejtë të hedhjes baltë mbi konkurrentët, magjistratë të ardhshëm, që me meritën e tyre janë shpallur fitues në këtë konkurrim.
Shkolla e Magjistraturës garanton se procesi i rekrutimit të kandidatëve për magjistratë ka qenë për një proces i bazuar tërësisht në meritë, i pavarur dhe në përputhje të plotë me ligjin. Shkolla ka marrë të gjitha masat për të njohur e vlerësuar meritën e konkurrentëve vetëm dhe permbi bazen e njohurive dhe aftesive te tyre profesionale. Fituesit vleresohen të tillë nga Komision i pavarur që është sjellë e do të sillet përherë në mënyrë profesionale.
Pjesëmarrësit në konkurrim gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e njohura nga ligji dhe Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës.
Këtë proces meritë dhe transparent ne e vlerësojmë thelbësor për edukimin e pavarësisë dhe integritetit së gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm, ndaj ka mbetur e do mbese i tillë. Ky element përbën themelin e sistemit të ardhshëm gjyqësor.
Shkolla do të vazhdoje të nxisë me përgjegjësi qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit të përzgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve të ardhshëm, për shkak se besojmë thelbësisht në barazinë e shanseve të kandidatëve pjesëmarrës si parim themeltar i sistemit demokratik.
Aludimet me keqdashje për parregullsi apo për shpallje fitues të konkurrentëve pa meritë nuk kanë asnjë mbështetje ligjore apo faktike, por janë përpjekje për të dëmtuar Shkollën e Magjistraturës, sistemin e drejtësisë dhe për të cënuar besimin e publikut në drejtësi.
Sulme të vazhdueshme janë organizuar përgjatë gjithë viteve të veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës, si shfaqe zakoni e përpjekjeve që synojne mbajtjen e sistemit gjyqësor dhe anëtarëve të saj, të përgojuar, përdhosur e nështruar. Këto përpjekje kanë marrë përgjigje me vendosmërinë, paanësinë, integritetin dhe profesionalizmin e treguar nga Shkolla.
Shkolla e Magjistratures ka kontribuar, përkrahur e mbështetur Reformen në Drejtësi, ka bërë përpjekje te lavderueshmeër të lehtësuar e furnizuar sherbimin gjyqsor përgjatë viteve të zbatimit nën përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për suksesin e saj. Dhe, do të vazhdojë ta bëjë duke pasqyruar për gjithë sistemin gjyqsor shembullin e pavaresisë, dinjitetit dhe profesionalizmit. Ne mendojmë se thelbi i Reformes në Drejtësi ka qendruar pikërisht në këto elemente parësore të cilat synohen të ushqehen tek anëtaret tanë të sistemit qe nis nga merita në përzgjedhjen e tyre.
Shkolla e Magjistraturës do të vazhdojë të kontribojë në projektet madhore profesionale dhe ligjore që vendi ka nevojë, sic është edhe kontributi vendimtar në hartimin e projektit të ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ne urojmë që projekti i arrire, paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë të gjejë sa më parë rrugën ligjore të diskutimit të tij per dobine e sistemit te drejtesise penale te Shqiperise.
Akuzat personale të bëra ndaj Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, paraqesin një shqetësim serioz për funksionimin e organeve më të larta të sistemit të drejtësisë dhe për mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor. Ato shfaqin mungesës së respektit ndaj institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar, kanë synim të intimidojnë këdo që me përgjegjësi dhe profesionalizëm nuk bëhet pjesë e paligjshmërisë, por kërkon dhe jep drejtësi me punën e tij.
Shqetësues për çdo anëtar të sistemit të drejtësisë, përfshi edhe drejtesine kushtetuese, eshte paraqitja kokeposhte, cënuese dhe joetike e faktit juridik të shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, sot drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Institucioni i sotem Qeverisës i Prokurorisë pranon në tavolinën e tij zyrtare, trajtimin keqdashes te ngjarjes juridike, nder me te rendat në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ate te shkeljes se Kushtetues se Republikes se Shqiperise, konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e kohës.
Mosnjohja, padijenia apo keqpërdorimi i atij fakti juridik, rendon cilindo që bën pjesë në qeverisjen e Prokurorisë së sotme. Organi Qeverisës i Prokurorisë sipas ligjit ka detyrë të mbrojë pavarësinë, integritetin, apo dinjitetin përgjatë kryerjes së detyrës, të respektojë sistemin Kushtetues dhe ligjor të normave dhe, hierarkinë Kushtetuese apo gjyqësore të organeve dhe, te mos lejoje dhe te distancohet nga rrënimi moral, kulturor, professional apo logjiko-emocional te kujdo qe mund te ndikojnë ne qeverisjen e sistemit. Moskuptimi tërësor i faktit, edhe kur është hedhur qarte e zeza mbi te bardhe, është i pajustifikueshëm për çdo praktikant, edhe fillestar, të ligjit, qoftë kur kanë synime politike për të përmbushur, synime karriere apo edhe thjesht, personale.
Shkolla e Magjistraturës do të vijojë të mbështesë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Shtetit shqiptar për të arritur synimet e veprimit të saj të pavarur, ligjor dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në deklaratën e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Top Channel