Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, një ditë para ditës së planifikuar, për shkak se deputetët do të nisen drejt Gjermanisë, për të ndjekur Kombëtaren shqiptare.
Në rend të ditës është projektligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionierit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2023, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.
Disa deputetë i thanë Top Channel se do të udhëtojnë me makina për në Gjermani, për të pasur më shumë mundësi të lëvizin nga data 15 pas ndeshjes në Dortmund, deri në 19 qershor kur do të zhvillohet përballja me Kroacinë në Hamburg.
E për këtë arsye, duke qenë se rruga me makinë zgjat rreh 24 orë, me ndonjë ndalesë gjatë natës, Kuvendi e ka afruar seancën për të mërkurën, me qëllim që të shtunën, të gjithë deputetët që kanë blerë bileta të jenë në stadium.
Po ashtu, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se javën e ardhshme nuk do të mblidhet. Në këtë mënyrë këto 10 ditë turizëm në Gjermani mund të konsiderohen si një pushim i vogël për deputetët përpara se të rikthehen në fund të qershorit, të punojnë deri në fund të korrikut e më pas të marrin pushimet e verës deri në fillim të shtatorit.
Top Channel