Kryesocialisti Edi Rama nga mbledhja e asamblesë kombëtare caktoi datën 20 korrik për mbledhjen e kongresit të PS.
Rama e quajti me rëndësi zgjedhjen e asamblesë të re të partisë, në këtë kongres. Kreu i PS shpalosi se për çfarë socialistët do ta shfrytëzojnë këtë kongres me karakter zgjedhor.
Ai u shpreh i kënaqur për 32,000 anëtarësimet e reja mes tyre 11,400 të rinj e të reja.
“Duhet ta marrim të mirëqenë se çdo anëtar e ka detyre të jetë pjesëmarrës aktiv në proceset zgjedhore. Rezultati i përgjithshëm është pozitiv janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj. Shifra inkurajuese është që 11 mijë e 400 prej tyre janë të rinj e të reja. Nga procesi për zgjedhjen e kongresin e e ri janë propozuar 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1200 i delegatëve të kongreseve. Është arritur objektiv i rëndësishëm për të të shkuar përtej 50% të të rinjve.
I njëjti kriter dhe ambicie duhet të karakterizojë edhe zgjedhjen e anëtarëve të asamblesë kombëtare të PS. Sa i përket këtyre të dytëve dua të theksoj se janë 156 anëtarë dhe anëtare të asamblesë kombëtare që do zgjidhen nga kongresi. 156 do të zgjidhen me votë të fshehtë në kongresin e ardhshëm. ¾ duhet të jenë për herë të parë në asamblenë kombëtare. Ka pasur një ndryshim pozitive, kemi zhvilluar dy takime me shqiptarë e Europës“-u shpreh Rama.
Rama tha se pas Greqisë dhe Italisë turi i takimeve me diasporën do të vijojë në Shtator në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe në SHBA.
“Takimi nuk ka qenë thjesht qëllim në vetvete as thjesht një takim pa vazhdim, por ka qenë njëkohësisht edhe një trokitje ne derën e shqiptarëve të Europës përtej mureve të sallës, ku ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar tërësisht rrjetin e anëtarësisë dhe të simpatizantëve të PS. Turi do të vazhdojë në shtator, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem në vete marrja e sallës që kishim prenotuar.
Në një situatë zgjedhore është normale që edhe në shmangnim një takim që pavarësisht që s’është partiak, është takim politik. Parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër në Gjermani, nuk do donim të krijohej një ide e përzierjes së dy gjërave. Në shtator do marrim përsëri turin dhe do zhvillojmë takimet e Britanisë dhe Gjermanisë, për të vazhduar në shtetet e Bashkuara. 20 korriku është data e kongresit që do votojmë sot”-tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Rama tha se kongresi i 20 korrikut do t’i shërbejë PS edhe për nisjen e përzgjedhjes të kandidatëve për deputetë për parlamentaret e 2025.
“Në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve të PS. Duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara, ku ne krijuam një platformë dixhitale, “deputeti që duam” dhe mblodhën një numër jo të vogël shprehjesh interesi për tu bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes së deputetëve të PS.
Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë pjesë e listës tonë. Ndërsa për zgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces më të artikuluar.
Është mirë që t’i japim vetës kohën e nevojshme nga kongresi zgjedhor deri kur do të bëhet përzgjedhja përfundimtare e listës së deputetëve të PS.“-u shpreh kryeministri Rama.
Top Channel