Ashtu siç ishte parashikuar, e djathta ekstreme pësoi rritje në zgjedhjet europiane, por jo në një nivel të tillë sa për të kërcënuar vendimmarrjen dhe politikat e deritanishme në raport me zgjerimin.

Pavarësisht avancimit të partive të ekstremit të djathtë në disa vende, partitë që konsiderohen tradicionalisht pro-europiane, do të vazhdojnë të kenë shumicën edhe në përbërjen e re të PE-së.

Për diplomatët në Bruksel, ky është lajm i mirë edhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por edhe për raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, sepse, sipas tyre, edhe në përbërjen e re të PE-së do të ketë një shumicë të mjaftueshme të deputetëve, që do të vazhdojnë t’i mbështesin këto politika.

Kështu, Partia Popullore Evropiane (PPE) pritet të ketë 186 vende në Parlamentin me 720, që nënkupton dhjetë vende më shumë se në përbërjen e deritashme.

Grupimi socialist S&D do t’i ketë 135 vende, apo katër më pak se në periudhën 2019-2024. Liberalët nga grupi Renew pritet të sigurojnë 79 vende, që do të thotë 23 më pak se në përbërjen e deritashme, ndaj mund të konsiderohen edhe si humbës të mëdhenj.

Megjithatë, së bashku, këto tre grupe pritet ta kenë shumicën, me rreth 400 vende, dhe nëse gjejnë dakorësi mes tyre mund të sigurojnë numrin e votave për vendimet kryesore të BE-së, përfshirë edhe zgjerimin.

E vetmja parti kundër shtrirjes së mëtejshme të bllokut është Identiteti dhe Demokracia (ID), që pritet të marrë 58 vende në PE. Ajo mund të rritet, varësisht se cilat parti do t’i bashkohen, por, sërish, nuk do ta vinte në rrezik mbështetjen për procesin e zgjerimit nga ana e PE-së.

Top Channel