Konferenca e nivelit të lartë për Rimëkëmbjen e Ukrainës, ministrja Spiropali: Shqipëria do të vazhdojë në krah të Kievit!

11/06/2024 20:36

Ministrja e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin ka ndarë pamjet nga vizita e saj në Berlin.

Spiropali ka marrë pjesë në Konferencën e nivelit të lartë për Rimëkëmbjen e Ukrainës, bashkëorganizuar nga Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

“Kam nderin të marrë pjesë dhe të mbaj fjalë në emër të qeverisë shqiptare, e cila do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj të drejtë për çlirim, si edhe do të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së pasluftës”, shprehet ajo.

Fjala e plotë e ministres:

Fillimisht, dëshiroj të falenderoj organizatorët për mikpritjen dhe realizimin e këtij samiti të rëndësishëm, që demonstron shqetësimin serioz në lidhje me kërcënimin që lufta në Ukrainë paraqet për paqen dhe sigurinë globale, si dhe nevojën urgjente për të dalë me një projekt konkret për të mundësuar Rimëkëmbjen e Ukrainës.

Shqipëria ndan të njëjtin shqetësim lidhur me pasojat katastrofike që ka sjellë agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës.

Kjo luftë agresioni kundër Ukrainës vazhdon të shkaktojë vuajtje të tmerrshme njerëzore, shkatërrim masiv të infrastrukturës dhe trazira në ekonomi. Gjithashtu, ajo ka ndikuar në një humbje të paprecedentë të kapitalit njerëzor ukrainas. Kjo luftë ka imponuar kosto të larta në ekonominë globale, si dhe efekte negative në zinxhirët e furnizimit, duke kontribuar në inflacion të lartë dhe mungesë të energjisë dhe ushqimit.

Prandaj, përpjekjet dhe angazhimi ynë i përbashkët sot për rindërtimin e këtij vendi martir në ditët në vijim, janë mëse të domosdoshme. Vendet demokratike kanë treguar unitet të paprecedentë në dënimin e veprimeve të Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës. Rindërtimi i Ukrainës nuk do të ndihmonte vetëm Ukrainën. Do të ishte kontributi më i madh premtues dhe kuptimplotë për domosdoshmërinë e paqes globale dhe dëshmi e faktit se bota demokratike është më e fortë, se vlerat tona nuk shkatërrohen.
Ekziston një bindje e përbashkët se Rindërtimi i Ukrainës do të jetë një ndërmarrje kolosale me sfida të mëdha dhe paparashikueshmëri. Një pjesë e madhe e Ukrainës ka nevojë urgjente për mbështetje ndërkombëtare për rindërtimin. Është e domosdoshme që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare të bashkëpunojnë ngushtë gjatë gjithë këtij procesi. Lejomëni të tregoj shkurt atë se çfarë ka bërë Shqipëria.

Që në krye të herës, Shqipëria ka dënuar ashpër agresionin rus dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore, që u mbajt në Tiranë më 28 shkurt të këtij viti, ishte dëshmi e qartë e angazhimit konkret të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës. Ne si shtet, kemi bërë çmos për të ndihmuar Ukrainën me gjithçka mundemi.

Më 4 gusht 2022, Buxheti i Shtetit të Ukrainës mori fonde granti nga Qeveria e Shqipërisë në vlerën 1 milion Euro, premtuar gjatë Konferencës së Donatorëve për Ukrainën që u mbajt në Varshavë më 5 maj 2022. Bashkia e Tiranës dhuroi mjete financiare në Bashkinë e Kharkiv-it me qëllim rindërtimin e një prej shkollave të qytetit. Shqipëria, bashkë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, janë zotuar të ndërtojnë një bllok banesash në qytetin e Irpin-it.

Ndihma ushtarake ka qenë e vazhdueshme. Që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, Shqipëria ka kontribuar në mbështetje për Ukrainën me automjete, municione, armatime dhe stërvitje për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Përpos ndihmës së deritanishme, Qeveria Shqiptare mbetet e gatshme të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së pasluftës për të ndihmuar ekonominë e Ukrainës, në koordinim me organizatat, aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në përfundim të fjalës sime, dua të shpreh se ne besojmë fuqimisht se mbështetja jonë për Ukrainën duhet të vazhdojë dhe dëshiroj të ritheksoj qëndrimin e Shqipërisë për angazhimin e palëkundur ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe në mbështetje të popullit e Qeverisë së Ukrainës deri në çlirimin e plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA