‘Fituan’ vulën e PD, Bylykbashi: Na u mbushën zemrat, ftojmë çdo demokrat të na bashkohet në këtë rrugëtim lirie

11/06/2024 20:19

Deputeti Oerd Bylykbashi e quajti fitore historike vendimin e Apelit për t’i kthyer vulën Partisë Demokratike.

Teksa foli në tubimin poshtë ballkonit të Sali Berishës, Bylykbashi shtriu dorën për çdo demokrat. “Ftesa jonë ka qenë që ditën e parë, vazhdon dhe do jetë për çdo demokrat që ka pranuar simbolin e PD, flamurin e saj si atë që udhëheq në këtë rrugëtim lirie nga dhjetori i vitit 1990 gjer sot. PD e ka derën të hapur për çdo demokrat”-tha ai.

Fjala e Oerd Bylykbashit: 

Miqtë e mi demokratë, keni rezistuar jo vetëm këto ditë. Janë pothuajse 3 vjet që kemi nisur një betejë të jashtëzakonshme për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri.

Miqtë e mi, janë emocione të jashtëzakonshme që u drejtohem në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë jo vetëm demokratët, jo vetëm ata që mbështesin PD dhe opozitën, por të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria do jetë një vend më i mirë sepse pluralizmi, demokracia dhe liria funksionon për ta. Të nderuar demokratë, dua t’u kujtoj reagimin tuaj të të gjithë demokratëve atë natë të 9 shtatorit, dua t’u kujtoj të gjithë ata lëvizje epike politike të jashtëzakonshme, pa asnjë precedent as në Shqipëri, po as në Ballkan, të udhëhequr nga lideri i padiskutueshëm i PD dhe opozitës, Sali Berisha.

Të gjitha foltoret me radhe që ngritën peshë zemrat e demokratëve, por të të gjithë shqiptarëve që kërkojnë një Shqipëri ndryshe. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm politik që riktheu shpresën se në këtë vend mund të ketë demokraci. Atë demokraci që Rama dhe ata që kishte paguar po e mbysnin përditë.

Miqtë e mi më lejoni t’ju kujtoj atë punë që bëmë bashkë për të shkuar te ai Kuvend i jashtëzakonshëm për impaktin që pati në jetën e PD dhe të gjithë demokracisë në Shqipëri. 11 dhjetori, Kuvendi i demokratëve do të mbetet në kujtesën e e shqiptarëve ashtu si themelimi i PD në dhjetorin e vitit 1990. E pra miq, ishit të gjithë ju që u angazhuat, mblodhët firmat dhe i dhatë shpresë demokracisë.

Miqtë e mi, dua t’u kujtoj të gjitha ato përpjekje që kemi bërë këto dy vite e gjysme nga ai Kuvend i jashtëzakonshëm për të ringritur edhe njëherë shpirtin demokrat. Për të treguar se nuk është e rëndësishme vula, por është e rëndësishme vota e demokratëve që vendos në këtë vend. Kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm për pluralizmin. Pa pluralizmin, demokracia vdes.

Ky ishte plani i Edi Ramës, kur ai korruptoi lidershipin e PD, goditi opozitën, goditi liderin e padiskutueshëm të PD, Sali Berisha. Po ja ku jemi këtu të gjithë bashkë. Nën udhëheqjen e PD kemi përshkruar këtë udhëtim që mund të duket si kalvar. Por ky është një moment i jashtëzakonshëm që na mbush zemrat sepse flamuri i PD valëvitet i ligjshëm dhe krenar në sytë e demokratëve dhe shqiptarëve.

Provuam kredon tonë se në demokraci vlen vota. Kemi besuar dhe do vazhdojmë të besojmë se vetëm parimet demokratike do të na çojnë ne te ai që është synimi ynë, bashkimi i çdo demokrati rreth flamurit të PD, rreth kauzës së PD, rreth liderit të PD, Sali Berishës, për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

Ftesa jonë ka qenë që ditën e parë, vazhdon dhe do jetë për çdo demokrat që ka pranuar simbolin e PD, flamurin e saj si atë që udhëheq në këtë rrugëtim lirie nga dhjetori i vitit 1990 gjer sot. PD e ka derën të hapur për çdo demokrat.

Të bashkohemi të gjithë pa dallim në këtë përpjekje të jashtëzakonshme tonën, në drejtimin e kryetarit të PD, Sali Berishës për të rrëzuar këtë narkoshtet, këtë regjim të Edi Ramës. Sot është një ditë e madhe për të gjithë ne. Fitore, fitore, fitore!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA