Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, pjesë e grupimit të Lulzim Bashës, thotë se respekton vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila njeh Sali Berishën si kryetar të partisë më të madhe opozitare në vend.
Megjithatë, në një deklaratë për mediat, para mbledhjes me grupin, Çollaku u tregua i rezervuar, kur tha se do të komunikojë fillimisht me kolegët.
“I qëndroj atyre që kam deklaruar, sot ka një vendim të gjykatës, kemi detyrimin ta respektojmë. Por, se çfarë do të bëjmë, do të dëgjoj edhe kolegët e mi dhe do të komunikoj më tej. Do të mbetem deputet i Partisë Demokratike, për vendime të tjera, do të flasim gjerë e gjatë”.
Gjykata e Apelit Tiranë vendosi sot të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt, pjesë e grupimit Basha, për të zhbërë vendimin e dy viteve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që njohu legjitimitetin e Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Denokratike.
Vendimi i Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike që në 11 dhjetor 2021 shkarkoi si kryetar Lulzim Bashën u la në fuqi këtë të martë. Vendimi i Gjykatës së Apelit konfirmon si kryetar të PD-së, Sali Berishën
Top Channel