Në kohën kur mbështetësit e Sali Berishës protestonin poshtë zyrës së tij, Erion Veliaj ironizoi përfaqësuesit e opozitës që djegin goma cdo javë në dyert bashkisë.
“Shikoj ata që djegin goma dhe kanë tetë muaj që nuk e paguajnë ujin, dritat dhe taksat, por shikoj edhe familjet modeste në Zall Bastar që nuk lënë një ditë pa i paguar, aq sa është kontributi, sepse kështu funksionon, secili duhet të kontribuojë dhe pastaj, me këtë kontribut, bashkia duhet ta shperndaje, që të ketë mirëqenie kudo Të ulërasësh me të madhe dhe të thuash poshtë taksat, ndërkohë që taksat janë modeste dhe paguhen 100% në Zall Bastar dhe të dalësh si gjel mbi pleh dhe të kesh tetë muaj që nuk paguan ujë dhe drita e taksa, ky është turp i madh”, tha Veliaj.
Këtë deklaratë kryebashkiaku e bëri gjatë përurimit të urës së re në Zall Bastar, që e shkurton ditsancën me Tiranën në 15 minuta.
“Kur ka bashkëpunim, kur nuk e pengojmë njëri-tjetrin, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Tani që këtu vjen për 15 minuta kam një ftesë për të gjithë: Ejani në Zall Bastar! Tirana është e mbushur me turistët, por pasi kanë ardhur në qendër, duan të shohin edhe natyrën e katundeve tona. Tani që kemi infrastrukturën, kur Zall Bastari është vetëm 15 minuta larg Tiranës, na duhet që ta promovojmë zonën. Infrastrukturën e bëmë, tani duhet të sjellim njerëzit. Duke sjellë njerëzit, turizmin, promovimin, vjen ekonomia, financat dhe shpenzimet”, theksoi ai.
Transformimi infrastrukturor i Zall Bastarit, do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.
Top Channel