Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka biseduar pak më parë me Fredi Belerin, që vuan dënimin në burgun e Fierit.
Mitsotakis ka uruar Fredi Belerin për zgjedhjen e tij si eurdeputet në zgjedhjet për PE të 9 qershorit.
Biseda e tij telefonike i paraprin një takimi që do të kryejë kreu i qeverisë greke nesër në orën 10:00 me gjashtë eurodeputetët e tjerë në zyrën e tij për të diskutuar detyrat e tyre të reja në Parlamentin Evropian.
Sipas numrit të votave që kanë marrë këta deputetë janë Giorgos Autias ,Evangelos Meimarakis, Eliza Vozeberg, Eleonora Meleti, Manolis Kefalogiannis dhe Dimitris Tsiodras.
Ndërkohë një mesazh zanor ka dërguar nga burgu i Fierit Fredi Beleri me anë të të cilit falenderon Kyriakos Mitsotakis për mbështetjen -siç thekson- në luftën për të drejtat e helenizmit vorioepiriot dhe mundësinë që i dha për të qenë kandidat në këto zgjedhje evropiane, diçka që ai dhe familja e tij nuk do ta harrojë kurrë .
“Gjatë gjithë këtyre muajve të aventurës sime, u forcua besimi im se drita gjithmonë fiton mbi errësirën dhe se fuqia e Republikës mund të fshijë çdo grusht shteti. Ne luftuam dhe fituam një betejë për Demokracinë, shtetin ligjor, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve, por në të njëjtën kohë një betejë për të drejtën evropiane, për parime dhe vlera, të cilat duhet t’i ndajnë kushdo që dëshiron të ketë një vend në familjen evropiane “- thotë ai.
Beleri falenderon secilin që i ka dhënë votën , miqtë në të gjithë Greqinë që i qëndruan në krah në provën më të vështirë të jetës “duke luftuar për një kauzë të shenjtë: lirinë dhe krenarinë e helenizmit”.Ai ka shtuar se familja e tij u bë mbështetja dhe zëri i tij gjatë kësaj periudhe.
“Vëllezërit e mi nga minoriteti etnik grek, dua t’u them se nga sot ne mund të ndihemi më të fortë. Dhe për çdo bashkëqytetar se si eurodeputet do të punoj shumë që të jem i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për Atdheun tonë ” -thekson Beleri .
Një falënderim të veçantë Fredi Beleri i jep dy njerëzve specialë për të, deputetit grek Angelos Syrigos dhe Stavros Papastavrou,ish Ministri i shtetit, të cilët, siç shprehet, për 395 ditët që ka qenë në burg, kanë qenë gjithmonë pranë tij dhe familjes së tij.
Top Channel